Gazetari i News24 Renaldo Salianji është pozicionuar sot tek “Trump camp Albania” ku mbështetësit e kandidatit për president janë mbledhur për të ndjekur procesin.
Pastor Akil Pano tha për mikrofonin e News24 se shpreson që fitues të jetë Trump, nisur nga platforma elektorale, si dhe premtimi i tij për t’i dhënë fund luftës. Ai ka përmendur si arsye për të mbështetur ish-presidentin Trump, edhe mbrojtjen e vlerave të familjes dhe vlerave konservatore.
Pano u shpreh se zgjedhja e Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë do të ishte edhe një frymëmarrje për opozitën në Shqipëri, duke shtuar se në 11 vitet e fundit vendi po jeton nën një regjim.
“Dëshirojmë ne dhe shumë amerikanë, mbase 50 plus 1 përqind e tyre që Trump të fitojë, natyrisht duke krahasuar platformat elektorale të dy kandidatëve. Ndryshimi i administratës, pra presidentit të Amerikës besojmë se do të ndryshojnë dinamika në situatën gjeopolitike në botë. Trump ka deklaruar se brenda 24 orëve do të ndalojë luftën. Gjithashtu prek edhe vlerat e familjes.
Sa i përket Shqipërisë jemi duke jetuar në një regjim që është rënduar çdo herë e më shumë në 11 vite, me arrestime nga kundërshtarët. Trump do të lejonte një frymëmarrje të politikës në vend”, tha ai.