Asllani-Inter ishte një dashuri me shikim të parë, por gjërat nuk po shkojnë sipas parashikimeve duke bërë që e ardhmja e mesfushorit kuqezi të jetë e paqartë. Pavarësisht se klubi zikaltër beson shumë tek Asllani, teksa i rinovuan së fundmi edhe kontratën deri në 2028, Asllani nuk ka bindur kurrë. Kjo situata ka bërë që emri i tij të përfshihet shpesh në tregun e transferimeve.
Është e qartë që Inter kërkon të përdor kartonin e tij, mund ta përdor për të arritur te Samuele Ricci, mesfushori i Torinos, por mund ta përdor edhe për të arritur te një objektivi i ri, Moise Kean.
Nuk është një sekret që Asllani pëlqehet shumë nga Fiorentina, gjatë verës ekipi vjollcë tentoi me një ofertë 20 milionë euro, por që nuk u bë kurrë zyrtare. Fiore mund të tentojë sërish, por Inter kërkon të përfitojë nga kjo situatë për të synuar transferimin e sulmuesit italian. Këtë sezon, Kean po shkëlqen me Fioren ku në 10 ndeshje ka shënuar 5 gola dhe ka dhuruar një assist. Inzaghi është një admirues i tij, e kërkon në Milano për të qenë një partner ose zëvendësues i Martinez pasi është e sigurt që nga Milano do të largohen Arnautovic dhe Correa. Kartoni i Kean vlerësohet me 25 milionë euro. Nuk është një çudit që gjatë verës, Inter të përdor Asllanin për të arritur te Kean.
Situata që Asllani po kalon tek Inter ka përfshirë në mënyrë indirekte edhe Sylvinho-n, trajnerin e Shqipërisë. Mediat italiane, thuajse të gjitha në sinkron sollën fjalët e Sylvinho-s për Asllanin përpara takimit kundër Çekisë: “Ai është një lojtar i ri, teknik, i cili po përmirësohet shumë edhe në aspektin fizik apo teknik. Tek ne ai është titullar, luan 90 minuta, zhvilloi dhe një Evropian të mirë. Sigurisht që ka hapësira për t’u përmirësuar pasi është ende i ri, por po bën mirë”.
()