Banesat e lagjes “Sulaj” në fshatin Xibër Murrize të Bashkisë Klos janë vënë në rrezik nga prurjet e mëdha të ujit që vijnë nga përroi që zbret nga Qafa e Murrizit. Banorët thonë se dita e djeshme ka qenë ditë tmerri për ta për shkak të vërshimit të ujit bashkë me inertet që ka nxjerr firma që po ndërton tunelin e Murrizit.
Ata shprehen se situata është e përsëritur sa herë ka reshje shirash pasi të gjitha inertet që janë hedhur nga firma sipër banesave të tyre përfundojnë në tokat bujqësore, rrugë e po ju rrezikojnë shembjen e shtëpijave.
Për këtë situatë banorët e Xibër Murrizes thonë se kanë lajmëruar të gjitha autoritetet vendore e qendrore por deri tani vetëm kanë heshtur dhe nuk kanë marrë asnjë masë për zgjidhjen e problemit që po i rrezikon t’i lërë pa shtëpi e ç’është më e keqja po ju vë jetën në rrezik.
Lagjja “Sulaj” në fshatin Xibër Murrize të Njësisë Administrative Xibër në Klos është direkt në dalje të tunelit të Murrizit, pjesë e rrugës së Arbrit.