Fjalori i ri i Gjuhës Shqipe është drejt përfundimit teksa ka shumë risi krahasuar me fjalorin ekzistues, atë të 1980.
Anila Kananaj, koordinatore e fjalorit ka dhënë detaje nga puna e bërë në një bisedë në Neës24. Ajo tha se janë përdorur 800 milionë njësi dhe presim të arrijë në 1 miliard njësi. Ajo shpjegoi se ky fjalor do të ketë rreth 120 mijë fjalë, pra një trefishim i fjalorit aktual.
“Nuk e kemi nisur punën nga zero. Kemi pasur një korpus në Akademinë e Shkencave, por kemi kërkuar ndihmë nga bashkëpunëtorët. Janë 55 veta nga trevat mbarë shqiptare që i janë përgjigjur thirrjes dhe kanë dërguar materiale, fjalë të rralla. Këto fjalë janë seleksionuar dhe janë zgjedhur nga hartuesit. Fjalori i 80 është 41 mijë fjalë, kurse tani pritet të arrijmë në 120 mijë fjalë”, tha studiuesja.
Kananaj tha se qëllimet tona janë të pasqyrojmë të gjitha arritjet e kulturës, teknologjisë, shoqërisë. “Synojmë të përfshijmë sa më shumë fjalë që t’i përgjigjen nevojat. Sigurisht nuk pretendojmë një vepër shteruese sepse nuk mund të arrihet, por do jetë një fjalor të madh të gjuhës shqipe, 3 herë më i madh se ai ka qenë, i zhveshur nga ideologjitë. Gjithë shoqëria ndryshon, gjuha ndryshon dhe duhet pasqyruar në fjalor”, u shpreh Kananaj.
Teuta Toska, pedagoge tha se fjalori do të ketë do të ketë vargun sinonim, do ketë antonimin duke folur dhe për nevojën e këtij fjalori.
“Gjuha shqipe është pasuruar shumë. Jemi treguar shumë të kujdesshëm me fjalët e huaja. Fjala shqipe ka pasur përparësi”, tha Toksa.
Kananaj shpjegoi se fjalori sinonimik ka 28 mijë vargje sinonimike, ndërsa në këtë fjalor kemi arritur në 35 mijë vargje sinonimike. “Është shtuar pasuria sinonimike. Për huazimet ne kemi bërë një zgjidhje. Përdorimi ka qenë faktor kryesor. Kemi fjalën miush dhe mous, ne i kemi lënë të dyja paralel. Kemi lënë miush për të nxitur shqiptarët ta përdorin. Nëse në kulturat e tjera miushi është një fjalë e dashur, në përralla etj, në Shqipëri nuk ka atë impakt dhe ua kemi lënë shqiptarëve të zgjedhin”, tha Kananaj.
Toska tregoi se në këtë fjalor është futur fjala çokokrem dhe dy shkrimtarët fjalët e të cilëve janë përfshirë më shumë. “Ajo fjalë gjendet kudo, lakohet, ka përdorim të madh. Nga ana e shkrimtarëve, fjalë të reja ka më shumë nga Fishta dhe Camaj. Camaj ka krijuar një shqipe që përbashkon dy dialekte. Ka qenë gjuhëtar, filolog. Gjuha e Camajt është unike”, tha Toska.
Dy studiueset thanë se shkronja “P” ka më shumë fjalë në fjalor, ndërsa “Y”-ja dhe “Ë”-ja kanë më pak.