Vrasja e Ilaria Sulës! Prindërit e saj flasin për RAI-n: Na e shkulën nga zemra, së shpejti do diplomohej

Për Flamur dhe Gëzime Sulën, dhimbja për humbjen e vajzës së tyre, Ilaria Sula, nuk do të shuhet kurrë. Ajo, vetëm 22 vjeçe, u shua padrejtësisht. Ilaria kishte shkuar në Romë për të studiuar statistikë, një degë që e donte shumë, por jeta iu ndërpre në mes nga ish-i dashuri i saj, Mark Antony Samson, një 23-vjeçar me origjinë filipinase, i cili e vrau me thikë. Prindërit e saj kanë folur për televizionin italian RAI, duke shprehur dhimbjen e pafund që kanë për humbjen e vajzës. “Nuk e di si do ia bëj pa Ilarian. Ishte gjithçka Ilaria për mua, ishte gjithçka. Ma shkulën nga zemra”, tha mamaja e saj, Gëzime Sula, me lot në sy.

Flamuri, babai i Ilarias, kërkon drejtësi për vajzën e tij. Ai thekson se Ilaria nuk ishte një objekt që mund të trajtohej në atë mënyrë çnjerëzore. “E vranë dhe e hodhën brenda një valixheje. Çfarë ishte ajo, një objekt? Vajza ime nuk ishte një objekt, nuk ishte një bluzë, as një palë këpucë, por njeri”, shprehet ai, duke i dalë loti nga sytë.

Pavarësisht qindra telefonatave dhe mesazheve që Gëzime Sula i dërgonte, nuk mori asnjë përgjigje nga Ilaria. Ajo tha se menjëherë kishte menduar më të keqen. Por, ajo që e bën edhe më të rëndë këtë tragjedi është ndihma që ka ofruar mamaja e autorit të krimit. Flamuri thotë se “mamaja duhet të telefononte menjëherë ambulancën e urgjencës dhe jo ta ndihmonte që ta hidhnin trupin”.

Ilaria, e cila ishte pranë diplomimit dhe mezi po e priste ditën kur do të merrte diplomën, e kishte shprehur gjithashtu emocionin për momentin e diplomimit. “Fliste edhe për fustanin që donte të vishte për diplomimin”, kujton Gëzime Sula.

Tashmë, familja Sula ka mbetur me kujtimet e vajzës dhe një audiomesazh që Ilaria u kishte dërguar prindërve. “Shikoni pak nëse jeni dakord! Pastaj unë do jap paratë dhe i zgjidhim problemet. Ok, me thuaj sërish”, dëgjohet të thotë Ilaria në mesazhin e dërguar. Në lidhje me vrasjen e Ilaria Sulës, janë arrestuar Mark Antony Samson dhe mamaja e tij, e cila e ndihmoi që të fshihte trupin e pajetë të vajzës. Hetimet kanë zbuluar se pas vrasjes, Samson ka shkuar të hajë me një shoqe të Ilarias dhe ka përdorur telefonin e saj për të devijuar hetimet, duke dërguar mesazhe në emër të saj, duke pretenduar se do të kthehej.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook