“Trump rol të madh në zgjedhjet në Shqipëri”/ Rama për Bloomberg: Jam mik me Kushner! Marrëveshja për Sazanin nuk është finalizuar

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për median amerikane “Bloomberg”, ka deklaruar se qëndrimi i presidentin Donald Trump, është një mundësi që Bashkimi Europian të rizbulojë fuqinë e saj si dhe të rindërtojë ndikimin global.

Kreu i PS ka deklaruar se blloku është bërë “shumë vetë-referues” dhe “egoist” dhe duhet të mësojë t’u bëjë ballë fuqive të tjera – në një kohë të luftërave tregtare të shkaktuara nga SHBA-ja dhe përçarjeve globale.

“Kur Trump tha se Zoti e shpëtoi Trumpin për ta bërë Amerikën sërish të madhe, ai tregoi vetëm gjysmën e historisë. Gjysma tjetër është se Ai e shpëtoi Trumpin edhe për ta bërë Evropën të zgjohet dhe të marrë masa”, tha të martën kryeministri Rama, në selinë e Partisë Socialiste në Tiranë.

Pjesë nga artikulli:
Në Shqipëri, Rama po përballet në zgjedhjet e 11 majit me një sfidë nga Partia Demokratike e qendrës së djathtë të drejtuar nga Sali Berisha, një ish-president dhe ish-kryeministër.
I sanksionuar nga SHBA-ja për korrupsion të dyshuar, Berisha ka biseduar me Chris LaCivita, ish-bashkëmenaxherin e fushatës presidenciale të Trump, për ta këshilluar mbi përpjekjen e partisë së tij për fitore në votimin e 11 majit.
Një linjë sulmi drejtuar Ramës është për lidhjet e tij me Alexander Soros, djalin e investitorit miliarder të cilin kryeministri e konsideron si mik.
LaCivita postoi një foto të të dyve në X në shkurt me komentin, “Kukulla dhe mjeshtri i kukullave”.
Kryeministri ka zgjeruar kontaktin e tij me rrethin e brendshëm të Trump.
Në fillim të këtij viti, Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan dhe këshilltari i tij gjatë mandatit të parë, fitoi miratimin paraprak nga qeveria shqiptare për një resort luksoz prej 1,4 miliardë dollarësh në një ish-bazë ushtarake.
Drita jeshile për projektin në Ishullin e Sazanit në brigjet jugore të Shqipërisë, pranë vendit ku takohen detet Adriatik dhe Jon, erdhi disa ditë përpara ardhjes në detyrë të Trump në janar.
Ky do të jetë një nga projektet më të mëdha të planifikuara nga Kushner në Ballkan, i cili përfshin një hotel Trump të planifikuar në kryeqytetin serb të Beogradit.
Rama, një artist dhe ish-basketbollist, tha se miratimi i qeverisë së tij për projektin nuk ishte një përpjekje për të përfituar nga presidenti i SHBA-së.
“Kushner e vizitoi ishullin, për herë të parë në vitin 2021 së bashku me bashkëshorten e tij, Ivanka Trump dhe të dërguarin special, Grenell. Në atë kohë, nuk ishte diçka që do të na jepte pikë politike në Uashington. Kishte të tjerë në pushtet dhe nuk ishte aspak e qartë se Trump mund të fitonte. Autoritetet shqiptare janë në “procesin e diskutimit” me ekipin e Kushnerit dhe marrëveshja nuk është finalizuar. Nuk është se ne e kemi dhënë ishullin dhe ky është një partneritet. Mund të jetë më i shpejtë, mund të jetë më i ngadalshëm, por të dyja palët duhet të bien dakord. Ata kanë mbështetjen tonë të plotë, por ne duhet të biem dakord. Jam i privilegjuar të flas me Kushner dhe do të isha shumë i lumtur ta quaja mik. Nuk e di nëse ai më quan mik, por unë e quaj mik”, ka deklaruar Rama.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook