Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka dalë me një propozim për shkurtimin e shpenzimeve të shtetit për administratën publike, duke e cilësuar këtë si një nga mënyrat më efikase për të lehtësuar barrën fiskale mbi qytetarët.
Në një postim në rrjetet sociale, Shehaj vuri në qendër të kritikës UKT-në, ndërmarrjen publike që menaxhon ujin në kryeqytet.
“Shembulli më flagrant i shpërdorimit të taksave është UKT-ja. Shihni zyrat e saj, janë të tejfryra, me 1300 punonjës dhe një kosto prej 40 milionë euro në vit për qytetarët. Për një shërbim që është skandaloz”, thaShehaj.
Ai theksoi se administrata publike ka një kosto prej 8.2 miliardë euro në vit për buxhetin e shtetit dhe se me një reformim të thellë dhe modernizim të saj, mund të kursehen të paktën 1 miliard euro.
“Shumica e bizneseve po kalojnë online, ndërsa shteti ende mban struktura të fryra, zyrat e mëdha dhe shpenzime të panevojshme. Dua thjesht të kursej paratë e qytetarëve,” u shpreh kreu i Partisë Mundësia.
Shehaj kërkoi që fokusi i qeverisjes të zhvendoset nga fryrja e administratës dhe mbajtja e militantëve në punësim, drejt eficiencës, teknologjisë dhe uljes së kostove për taksapaguesit shqiptarë.