Kreu i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, zhvilloi një takim me qytetarët në Dimal, ku kritikoi ashpër kryeministrin për qëndrimin e tij ndaj problematikave të njerëzve dhe për fushatën e tij zgjedhore.
“E dëgjuat kryeministrin, del në mëngjes dhe bën si i dashur, bë një “sy më sy” me qytetarët,” tha Lapaj, duke e akuzuar kryeministrin se është bërë i ëmbël dhe i qeshur vetëm në prag të zgjedhjeve.
Ai theksoi se kryeministri nuk është i pranishëm për të dëgjuar zërin e qytetarëve kur merr vendime të rëndësishme, si ndërtimi i një kampi refugjatësh në Lezhë ose ndërtimi i një termocentrali në Roskovec.
“Pse nuk shkon të bisedojë me qytetarët kur merr këto vendime të rëndësishme? Pse nuk del të flasë me ta për hallet që kanë pasur gjatë këtyre katër viteve?” pyeti Lapaj.
Lapaj e përfundoi fjalën e tij duke bërë thirrje për mobilizim dhe vëmendje nga qytetarët, duke i paralajmëruar ata se kryeministri do t’i gënjejë sërish. “Kjo nuk është një betejë për të bërë karrierë, por është rruga e vështirë që ne kemi ndjekur për të mbrojtur interesat e qytetarëve,” tha ai.