Një tjetër i dyshuar është vënë në pranga në kuadër të operacionit policor të koduar “Skema”, i cili ka në fokus një rrjet personash që dyshohet se mashtronin me deklaratat financiare për të shmangur pagesat e TVSH-së.
I arrestuari është shtetasi L. T., 19 vjeç, banues në Durrës, i shpallur më herët në kërkim nga autoritetet. Kapja e tij u krye nga Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, pas një hetimi që zgjat prej më shumë se 6 muajsh.
Sipas Policisë, Gjykata e Durrësit kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Hetimet kanë zbuluar se L. T. është pjesë e një grupi prej 7 shtetasish, të cilët përmes subjekteve që administronin ose ku ishin të punësuar, deklaronin të dhëna financiare të rreme me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Kjo skemë dyshohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej rreth 3 milionë euro.
Autoritetet vijojnë punën për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Durrësit, për veprime të mëtejshme.