VIDEO / Laçi shtyn festën e titullit të Tiranës, kurbinasit blindojnë vendin e dytë

Tirana do të presë të paktën deri në mesjavën e ardhshme për titullin kampion. Laçi ka mundur bardheblutë në duelin direkt të ditës së sotme me shifrat 1-0.

laci - tirana

Bardhebluve i mjaftonte një barazim në këtë duel për t’u shpallur matematikisht kampion dhe kanë zhvilluar një ndeshje të hapur në kërkim të fitores. Megjithatë, Laçi u tregua shumë cinik dhe mbrojti me rregull, duke goditur më pas me Guindo i cili shënoi një gol spektakolar.

Në pjesën e dytë, Tirana shpërdoroi shumë raste për shënim, pa arritur të kalonte Dajsinanin, ndërsa edhe Bekaj mbajti në lojë të tijtë deri në sekondat e fundit me grushtime spektakolare. Gjtihsesi, asnjë nga sulmuesit e bardhebluve nuk ia dolën të çonin topin në rrjetë e kështu, Laçi mori fitoren e dytë ndaj Tiranës duke mos i lënë kryesuesit që të gëzojnë që tani trofeun e radhës, ndërsa vetë kurbinasit i afrohen më shumë sigurisë matematikore për pjesëmarrjen në Europë.

LAÇI-TIRANA 1-0
13′ Guindo

MINUTË PAS MINUTE

90’+3’ Mbyllet ndeshja me fitoren 1-0 të Laçit.

90’+3’ Hoti ndëshkohet me karton të verdhë pasi ndal një kundërsulm të Laçit.

90’+1’ Edhe Velkoski provon me një gjuajtje ballore, por ka të njëjtin fat të gjuajtjeve të shokëve të skuadrës para tij.

90’ Jepen 3 minuta shtesë.

90’ Gjuajtje e bukur fluturimthi e Qatos nga jashtë zonës, me sferën që kalon rrezikshëm mbi traversën e Bekajt.

85’ Gjumsi largohet nga fusha e lojës duke i bërë vend Nikqit.

83’ Guindo merr mirë krahun e majtë dhe nis topin në shtyllën tjetër për Zarubica, por Bekaj është vendimtar dhe ndalon pasimin.

80’ Adeleke lë fushën e lojës, duke i bërë vend Turkajt.

79’ Predhë e Shehut në ecje e sipër, Bekaj devijon mbi traversë dhe mban në lojë skuadrën e tij.

76’ Gjuan edhe Seferi nga jashtë zonës duke fluturuar sferën mbi traversë. Shtohen goditjet e Tiranës që kërkon me ngulm barazimin.

75’ Totre shfaqet rrezikshëm në pozicion ballor dhe provon të djathtën e tij, goditja çon topin direkt në duart e Dajsinanit.

 

74’ Zarubica merr vendin e Mazrekajt në fushën e lojës.

73’ Mazrekaj ndëshkohet me karton të verdhë në radhët e kurbinasve.

71’ Seferi e tepron me mbajtjen e topit para zonës së Laçit, në fund ia del të fitojë një faull.

69’ Ndërpritet ndeshja pas një përplasje kokë më kokë të Najdovskit me Velkoskin në zonën e bardhebluve.

63’ Një harkim nga e djathta sjell një roveshatë spektakolare të Gjumsit, i cili sheh Dajsinanin të fluturojë dhe grushtojë goditjen e tij.

62’ Pikërisht Roganoviç del nga fusha e lojës, duke i bërë vend Qatos.

61’ Aksion i shpejtë i dyshes Seferi-Ismajlgeci, në fund topi shkon te Dajsinani por bardheblutë pretendojnë për penallti pas një kontakti të mesfushorit me Roganoviç.

58’ Seferi merr topin në pozicionin ku në pjesën e parë Guindo shënoi golin e avantazhit. Gjuajtja është thuajse e njëjtë, por Dajsinani  fluturon dhe grushton tentativën e tij.

57’ Ndërpritet ndeshja për pak çaste, teksa lojtarët kurbinas u kërkojnë tifozëve që të mos hedhin fishekzjarrë në fushë.

55’ Mazrekaj ekzekuton goditjen e dënimit duke gjuajtur direkt në portë, sfera ndalet në rrjetën e jashtme.

54’ Karton i verdhë për Hoxhallarin i cili ndal Adeleke në një sulm në krahun e majtë.

54’ Gjuajtje nga jashtë zonës e Shehut, sfera fluturon mbi traversë.

51’ Hoti gjuan rrezikshëm nga krahu i majtë, shënjestra nuk është e duhura dhe topi përfundon jashtë.

50’ Seferi mundohet të shpërthejë në krahun e djathtë, i ndalur në momentin e fundit nga Velkoski i cili e largon nga porta me mjeshtëri.

46’ Pjesa e dytë nis me zëvendësim te Tirana, pasi Toli i lë vendin Hotit në rreshtim.

45’+3’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin e vendasve. 

45’+2’ Gjumsi shfaqet rrufeshëm para Dajsinanit por portieri i devijonin topin aq sa për të mos e lejuar të gjuajë në portë, më pas sfera shkon te Limaj i cili gjuan nga jashtë zonës, por nuk gjen katërkëndorin.

45’ Jepen 2 minuta shtesë.

41’ Goditje dënimi për Laçin nga e majta, si zakonisht harkon Mazrekaj i cili detyron Bekajn të largojë topin në këndore.

40’ Najdovski ndëshkohet me të verdhë pasi ndal në mënyrë të parregullt Guindon.

39’ Harkim nga e majta i Hoxhallarit për Gjumsin në shtyllën e dytë, ky i fundit me kokë nuk mposht Dajsinanin, pastaj fiton një këndore pasi mundohet të godasë përsëri drejt portës.

35’ Kryhet zëvendësimi i detyruar te bardheblutë, me Përgjonin i cili merr vendin e Devid.

34’ Devid nuk mund të vazhdojë më. Sulmuesi brazilian kishte marrë ndihmën e mjekëve pak minuta me parë por tani bën me shenjë që nuk mund të vazhdojë më.

32’ Pas një harkimi në zonë, Guindo dhe Adeleke mundohen me kokë të çojnë sferën drejt katërkëndorit të Bekajt, pa sukses pasi mbrojtja bardheblu largon rrezikun.

25’ Goditje dënimi ballore për Tiranën, Hoxhallari gjuan por Roganoviç devijon sferën në mur aq sa për ta larguar trajektoren e saj nga katërkëndori.

22’ Laçi i afrohet golit të dytë. Pas një goditje dënimi të Mazrekajt, Guindo dhe Malotaj provojnë që të gjuajnë në portë në mes të rrëmujës, por mbrojtja e bardhebluve arrin tw ndalojë sferën e largojë rrezikun.

19’ Gjumsi nga e majta mundohet të harkojë në zonë, por çon sferën në duart e portierit Dajsinani.

guindo

13’ GOOOL Laçi. Guindo merr topin në pozicion ballor jashtë zonës dhe lëshon një goditje të pakapshme për Bekajn.

12’ Ziko depërton në krahun e majtë, gjuajtja e tij devijohet nga Seferi i kthyer në mbrojtje dhe pastaj përplaset në traversë.

8’ Tjetër tentativë e Tiranës, këtë herë me Limajn i cili tenton në opozicion ballor, por pa shenjëstruar katërkëndorin e Dajsinanit.

6’ Ismajlgeci shfaqet në pozicion gjuajtje dhe tenton të martën, por sfera devijohet jashtë.

4’ Seferi nga e djathta krijon menjëherë rrezikshmëri me një pasim të fortë që kalon pasqyrën e portës, ndërsa Gjumsi në shtyllën e dytë që nuk arrin të devijojë në rrjetë.

3’ Shehu jep një pasim thuajse perfekt në thellësi për Guindo, Najdovski ndërhyn në momentin e fundit dhe ndal topin.

1’ Nis dueli me shkelmimin nga qendra të skuadrës së Tiranës.

FORMACIONET ZYRTARE:

LAÇI: Dajsinani, Roganoviç, Malota, Velkoski, Ziko, Deliu, Shehu, Velija, Guindo, Mazrekaj, Adeleke

Trajner: Shpëtim Duro

TIRANA: Bekaj, Tosevski, Najdovski, Hoxhallari, Ismajlgeci, Limaj, Toli, Totre, Seferi, Devid, Gjumsi

Trajner: Orges Shehi

WhatsApp Image 2022-04-29 at 4.13.42 PM

Arena e Lajmit

VIDEO / Laçi shtyn festën e titullit të Tiranës, kurbinasit blindojnë vendin e dytë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook