Bledi Çuçi e Damian Gjiknuri zhvilluan një takim me disa përfaqësues të bizneseve të turizmit në Vlorë. Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në këtë qark tha, se sot Vlora është në një realitet tjetër që e përjetojmë të gjithë dhe sidomos biznesi.
“Jemi në një periudhë të mirë të marrëdhënies së biznesit me Zyrën e Tatim Taksave. Ju jeni njohur me vendimin e fundit të qeverisë, që nëse nënshkruani një kontratë dhe pranon të keni një xhiro të paracaktuar me dy fasha, me fashën e sezonit dhe me fashën jashtë sezonit, këto biznese nuk do të kenë asnjë inspektor tatimesh për 365 ditë në derën e tyre”, deklaroi Çuçi.
Në vijim të fjalës së tij, ai tha se me Partinë Socialiste, biznesi ka pasur një partneritet si asnjë parti tjetër në Shqipëri, partneritet ky i domosdoshëm theksoi ai për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë shqiptare.
“Merita e këtij zhvillimi të Vlorës nuk i takon vetëm qeverisjes së Partisë Socialiste, por i takon edhe kontributit që ju jepni çdo ditë me punën tuaj, me taksat tuaja për të ecur përpara. Edhe këtë herë biznesi do të dijë të zgjedhë forcën politike që i duhet Shqipërisë për të ecur përpara, Partinë Socialiste”, u shpre Çuçi.
Kandidati për deputet Damian Gjiknuri përmendi disa nga projektet madhore në Vlorë, që kanë ndikuar në rritjen e numrit të turistëve, rritjen e vlerës së pronës dhe shtimin e vendeve të punës. Gjiknuri tha se zgjerimi i lungomares deri në Orikum dhe përfundimi i aeroportit do të çlirojë potenciale të tjera zhvillimi për Vlorën dhe jugun e vendit.
()