Shëtitorja e re në Tushemisht, një ndër projektet më të rëndësishme infrastrukturore për zhvillimin turistik të Pogradecit, po i afrohet përfundimit. Projekti është pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse për të rritur cilësinë e jetës për banorët dhe për të fuqizuar pozicionin e qytetit si një nga destinacionet kryesore turistike në vend.
Në kantier ishte i pranishëm për të parë nga afër punimet Kryeminsitri Edi Rama i shoqëruar nga Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli, si dhe kryebashkiaku i Pogradecit Ilir Xhakolli.
“Shëtitorja e Tushemishtit është tashmë në fazën përfundimtare të punimeve. Ky projekt është në vijimësi të ndërhyrjeve transformuese në zonë, së bashku me ato të realizuara në pjesën e Drilonit në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimeve. Veçanti e këtij projekti janë 58 ndriçues inteligjentë të pajisur me sensorë ajri, kamera sigurie dhe ekrane informuese me prekje për turistët.” – u shpreh Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.
Projekti përfshin gjithashtu rehabilitimin e rrugës ngjitur me doganën, e cila tashmë është transformuar në një hapësirë të përbashkët për automjete dhe biçikleta, duke lidhur shëtitoren me pikën kufitare drejt Maqedonisë së Veriut.
“Kjo ndërhyrje e re është jo vetëm estetike, por edhe funksionale. Krijon kushte të reja për zhvillimin e bizneseve, rrit vlerën e hoteleve dhe pasurive të patundshme. Mbetet të përfundojnë detajet për t’i dhënë qytetit një atraksion të ri të denjë për potencialin e tij.” – theksoi Kryeministri.
Ndërkohë, Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, z. Ilir Xhakolli, konfirmoi se shëtitorja, me një gjatësi prej 1.1 kilometra, do të jetë pjesë e një rrjeti më të gjerë turistik që do të lidhë qendrën urbane me Drilonin.
()