Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar fushatën në Vorë, ku mori pjesë në prezantimin e kandidatëve të PD dhe koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Në fjalën e tij, ai drejtoi kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për sjellje të papërgjegjshme dhe për largimin masiv të qytetarëve nga vendi.
“Edi Rama nuk është kloun, por për hir të karriges së tij e bën atë rol. I lejon vetes gjëra që nuk i bën një njeri normal dhe mendon se me këto do t’u hedhë hi syve njerëzve,” deklaroi Berisha.
Ai vlerësoi rolin e grave dhe të familjes në shoqëri, duke theksuar se ato janë goditur rëndë nga politikat e qeverisë. Berisha tha se është i bindur që më 11 maj, ato do t’i japin kryeministrit atë që meriton.
“Gratë, nënat dhe motrat do t’i japin atij atë që meriton, atij që u ka përzënë fëmijët nga vatra familjare, që i fyen djemtë, bashkëshortët e baballarët si një ordiner,” shtoi ai.
Duke e cilësuar ditën e zgjedhjeve si një moment vendimtar, Berisha e quajti 11 majin “ditën e pastrimit të shtëpisë” dhe u zotua për një përballje të vërtetë me korrupsionin.
“Po, Edi, do ta pastrojmë shtëpinë. Vora dhe Shqipëria nuk bëhen tokë e Zotit nëse nuk pastrojmë shtëpinë nga këto që keni bërë këto 12 vite. Të gjitha miliardat euro të zhdukura do bëhet e pamundura që të gjenden dhe t’u kthehen shqiptarëve.”