Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, njëherazi kandidat për deputet në listën e hapur të PS në Tiranë, deklaroi në një intervistë në “Open” në News24 se turizmi në Shqipëri ka hyrë në një fazë ku cilësia dhe formalizimi duhet të jenë prioritet absolut.
“Ne nuk krenohemi thjesht me numrin e turistëve, por me vlerën që ata sjellin. Objektivi ynë është një turizëm që paguan, që shpenzon dhe kontribuon drejtpërdrejt në ekonominë vendase”, theksoi Gonxhja, duke shtuar se ofertat turistike duhet të kalojnë përtej “detit dhe ushqimit”.
Ai nënvizoi se është e nevojshme një rimodelim i gjithë ofertës turistike për të reflektuar kërkesat e reja të tregut dhe për të garantuar që Shqipëria të mos mbetet një destinacion i lirë, por një destinacion me përvojë të plotë: “Duhet të përfshijmë jetën kulturore, gjallërinë, infrastrukturën, mikpritjen dhe shërbimet cilësore.”
Ministri ngriti gjithashtu shqetësimin për nivelin e lartë të informalitetit që vërehet në muaj të caktuar të sezonit, duke përmendur të ardhura më të ulëta sesa potenciali real, shërbime që nuk deklarohen, dhe nevojën për teknologji e metoda moderne për matjen dhe menaxhimin e fluksit turistik.
“Turizmi i ardhshëm duhet të jetë i menaxhuar mirë, i shpërndarë në të gjitha stinët dhe rajonet, pa krijuar problematika për qytetarët vendas,” u shpreh ai.
Gonxhja theksoi se qeveria është e angazhuar për të ndërtuar një ekonomi turistike të qëndrueshme, formale dhe të ekuilibruar, që të sjellë jo vetëm vizitorë, por zhvillim real për vendin.