Publikohen pamjet e sherrit të regjistruar dje në njësinë administrative Ostren të Bulqizës, gjatë një takimi elektoral të Partisë Demokratike.
Policia e Dibrës njoftoi se ishin drejtuesi politik i PD, Xhelal Mziu, dhe nipi i tij Elvis Mziu, ata që goditën dhe dhunuan me grushte, 33-vjeçarin Kalosh Murra nga Shupenza, i cili është punonjës i Bashkisë së Bulqizës në sektorin e ndarjes së ndihmës sociale.
Siç shihet edhe në pamjet e filmuara nga një kamerë sigurie, një person qëndron në ambientet e jashtme, duke folur në telefon dhe më pas afrohet një person tjetër.
Pas një konflikti verbal, ata janë përfshirë menjëherë në konflikt fizik duke e goditur njëri-tjetrin dhe më pas janë përfshirë edhe simpatizantë të tjerë të PD-së.
Në lidhje me këtë sherr, Policia njoftoi sot se kishte nisur procedimin penal ndaj drejtuesit politik të PD-së në Dibër, Xhelal Mziut dhe nipit të tij, Elvis Mziu për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”. Dosja iu përcoll më pas Prokurorisë së Posaçme.
Nga ana tjetër, në një reagim pas ngjarjes, Xhelal Mziu dha një tjetër version për atë që kishte ndodhur gjatë takimit elektoral. Mziu thotë se punonjësi i Bashkisë kishte mbërritur aty për të intimiduar mbështetësit e PD të pranishëm në takim dhe sipas tij i ka kërcënuar ata me ndërprerjen e ndihmës ekonomike. Lidhur me sherrin, Mziu thotë se kanë qenë simpatizantët e PS ata që kanë goditur kreun e forumit rinor dhe drejtuesin e degës lokale të PD në Bulqizë.
Xhelal Mziu: Në takimin e Ostrenit, në mënyrë demonstrative, punonjësi i ndihmës ekonomike në Bashkinë Bulqizë po intimidonte pjesëmarrësit, ku një pjesë u larguan pas këtyre kërcënimeve dhe një pjesë tjetër shprehën shqetësimin për heqjen e ndihmës ekonomike.
Pas shqetësimit që ngritën vetë banorët e kësaj zone, kam komunikuar me personin në fjalë që rrinte përpara vendit të takimit, dhe i kam kërkuar të mos intimidojë qytetarët, e aq më tepër të mos përdorë pozicionin e punës për shantazhimin e qytetarëve me heqjen e ndihmës ekonomike në rast të mbështetjes dhe votimit për Partinë Demokratike. Madje e kam paralajmëruar se për veprimet e tij të paligjshme do ta kallëzoj në Prokurori. Pas paralajmërimit për denoncomin e tij, personi në fjalë ka komikuar me përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Kandidatin e kësaj force, të cilët ndodheshin pak metra më larg, çka konfirmon se e gjitha ishte e inskenuar dhe organizuar për të shantazhuar qytetarët.
Në pak minuta para vendit ku u mbajt takimi i përfaqësuersve të opzitës, kanë mbërriur Jeton Dani babai i kandidatit të PS dhe mbështetës të tij dhe kanë ushtruar dhunë barbare ndaj kryetarit të Forumit të PD Bulqizë. Për të shuar konfliktin ka ndërhyrë kryetari i PD Bulqizë avokat Shaqir Manjani të cilin e kanë goditur pas shpine.
Sjellja e Policisë ngre dyshimet për dijeni apo në mos të jetë e përfshirë në këtë ngjarje, pasi jo vetëm që manipuloi ngjarjen dhe shpërndau një informacion të rrem, por ka refuzuar që të marrë denoncimin e drejtuesve të PD Bulqizë.
I bëjmë thirrje SPAK të sekuestrojë pamjet e kamerave në zonë, dhe të hetojë ngjarjen ku janë dhunuar kryetari dhe përfaqësues së PD Bulqizë.
Bërja palë e Policisë në ngjarjen kriminale të goditjes së opozitës, shtohet edhe më shumë për faktin se Drejtori i policisë së Dibrës ka lidhje familjare me Jeton Danin, babai i kandidatit të Partisë Socialiste.
I bëjmë thirrje punonjësve të bashkive dhe policisë që të mos intimidoni dhe kërcënoni qytetarët.
Sigurojmë qytetarët e Bulqizës dhe të gjithë Dibrës se këto manipulime të Partisë Socialiste dhe policisë së shtetit nuk do të na trembin.”
()