Problemet e bizneseve dhe ekonomisë në shekullin e 21-të , kryefjala e Konferencës së 12-të Ndërkombëtare të Inivacionit në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan

Në vijim të përpjekjeve të vazhdueshme për promovimin e dijes, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit akademik, Fakulteti i Biznesit dhe i Drejtësisë i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” organizoi me sukses Konferencën e 12-të Ndërkombëtare me temën “Inovacioni dhe Vizion i Ri” ,Perspektiva mbi Biznesin dhe të Drejtën në Shekullin XXI”. Ky aktivitet i rëndësishëm shkencor tashmë një traditë e konsoliduar në jetën akademike të këtij fakulteti mblodhi këtë javë së bashku studiues, ekspertë dhe akademikë nga vende të ndryshme të botës duke krijuar një hapësirë të vlefshme për shkëmbim njohurish dhe ide novatore.

Konferenca Ndërkombëtare u zhvillua në ambientet e Universitetit të Elbasanit, ku atmosfera akademike u mbush me entuziazëm, energji pozitive dhe diskutime të thelluara mbi çështje aktuale që prekin fushat e biznesit dhe të drejtësisë. Në një epokë të karakterizuar nga zhvillimet e shpejta teknologjike, transformimet ekonomike dhe sfidat globale, temat e trajtuara gjatë kësaj konference u vlerësuan për rëndësinë dhe aktualitetin e tyre.Punimet e konferencës u hapën me fjalën përshëndetëse të Zëvendësrektores së Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Prof. Rezarta Tahiraj, e cila përfaqësoi Rektorin Prof. Dr. Elvira Fetahu dhe Zëvendësrektorin për Kërkimin Shkencor, Prof. Skender Topi. Në fjalimin e saj, Prof. Tahiraj theksoi mbështetjen e pakushtëzuar të Rektoratit për organizimin e këtij aktiviteti me rëndësi të veçantë për komunitetin akademik dhe kërkimin shkencor në vend dhe më gjerë. Ajo vuri theksin mbi domosdoshmërinë e një qasjeje ndërdisiplinore në analizën dhe zgjidhjen e çështjeve komplekse që lidhen me biznesin dhe të drejtën në realitetin bashkëkohor. Prof. Tahiraj i ftoi të gjithë pjesëmarrësit që ta shfrytëzojnë këtë konferencë jo vetëm si një forum shkencor, por edhe si një mundësi për të ndërtuar ura bashkëpunimi, për të ndarë ide dhe për të nxitur projekte të reja kërkimore në një botë që kërkon gjithmonë më shumë zgjidhje inovative dhe të qëndrueshme.Pjesëmarrja në këtë konferencë ishte e gjerë dhe e larmishme.

Më shumë se 90 autorë, studiues dhe ekspertë nga mbi 10 vende të ndryshme, përfshirë Shqipërinë, Italinë, Mbretërinë e Bashkuar, Bullgarinë, Turqinë, Maqedoninë e Veriut dhe vende të tjera, sollën perspektiva të reja dhe qasje analitike mbi sfidat që përballen sot ekonomitë kombëtare dhe ndërkombëtare, sistemet ligjore dhe strukturat sociale. Temat e trajtuara varionin nga digjitalizimi i ekonomisë, zhvillimet e reja në të drejtën tregtare dhe të punës, e deri te politikat publike, të drejtat e njeriut dhe ndikimi i teknologjisë në menaxhimin e bizneseve dhe në administrimin e drejtësisë.Konferenca u zhvillua në panele të ndryshme paralele ku prezantimet u ndoqën me interes të madh nga pjesëmarrësit.

Diskutimet ishin interaktive dhe shërbyen si një bazë e mirë për reflektime të thella dhe debate konstruktive. Gjithashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar në funksion të ngritjes së standardeve të kërkimit shkencor dhe edukimit të lartë në rajon.Në përfundim të punimeve, organizatorët falënderuan të gjithë kontribuesit e këtij eventi ,profesorët, studiuesit, studentët dhe të ftuarit specialë ,të cilët me praninë, prezantimet dhe angazhimin e tyre e bënë të mundur suksesin dhe impaktin pozitiv të konferencës. Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” rikonfirmoi angazhimin e tij për të qenë një qendër dinamike e dijes, inovacionit dhe bashkëpunimit shkencor në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Kjo konferencë nuk ishte vetëm një moment reflektimi mbi zhvillimet aktuale në fushat e biznesit dhe të drejtësisë, por edhe një hap i rëndësishëm drejt vizionit të përbashkët për ndërtimin e një të ardhmeje të bazuar në dije, integritet dhe progres.


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook