Në Shënjestër
Por ndërsa kishin në plan të qëronin hesapet me grupin rival të Çapjave, bisedat tashmë të zbërthyera në platformën Sky Ecc, na japin një panorama më të qartë të aktivitetit kriminal që Suel Çela dhe banda e tij kishin ndërtuar edhe në fushën e trafikimit të lëndëve të forta narkotike me drejtim nga Amerika e Jugut në Evropë, ku në skenë për herë të parë në këtë dosje del edhe emri i Marsel Shegës, i cili mban edhe gjeneralitetet Bujar Shega. Shega i cili është zotërues i disa kompanive si Viola Green dhe Wonder Green.
Kompani nëpërmjet të cilave ai kishte fituar dhe tendera për pastrimin e disa qyteteve, ndërsa rezulton një personazh me lidhje të forta në politikë. Por ndërsa në Shqipëri ai fshihej pas maskës së biznesmenit të suksesshëm, hetimi i SPAK zbuloi se ai ishte financues i trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Një nga episodet për të cilin ai dyshohet bën fjalë pikërisht për trafikimin e një sasie të madhe kokaine nga porti i Ekuadorit më datë 13 Dhjetor 2020.
Drogë, e cila kishte si destinacion final portin e Anversës në Belgjikë, por që u gjet e fshehur në bashin dhe kuvertën e anijes nëpërmjet së cilës do merrte rrugëtimin për në Evropë.
Sipas autoriteteve ekuadoriane, droga e gjetur e paketuar në brendësi të kësaj anije, ishte e ndarë në 930 pako në formë tulle.
Me një peshë neto prej 925 kg, të cilat mbanin logot ‘Erking’, ‘74’ si edhe imazhin e një këpuce. Nga ku më tej, falë edhe testimit të kryer, doli se lënda e dyshuar e sekuestruar ishte e llojit kokainë.
Por nëse në këtë kohë nuk u gjet se kujt i përkiste kjo drogë, do të duheshin të kalonin pikërisht disa vite për të mësuar se kush ishin në të vërtetë porositësit e kësaj sasie të konsiderueshme kokaine.
Si dhe njëkohësisht edhe humbësit e saj të mëdhenj.
Kjo, pasi siç thamë, sasia e madhe e drogës që me të kaluar në Belgjikë, do të furnizonte tregun e kokainës në Evropë, nuk e kaloi dot kurrë portin e Guajakil në Ekuador.
Pasi u kap nga autoritetet vendase para se të merrte rrugëtimin oqeanik. Dhe shkak për këtë tradhti, do të bëhej pikërisht aplikacioni që organizatorët e këtij trafiku i kishin besuar verbërisht të gjithë aktivitetin e tyre kriminal.
Sky Ecc, aty ku nga kqyrja dhe analiza e komunikimeve të kryera, të dërguara tashmë si peshqesh për homologët shqiptarë nga autoritetet franceze të drejtësisë, del se grupi që tentoi të trafikojë fillimisht 920 kg kokainë nga Belgjika, ishte shqiptar. Dhe një nga porositësit e kësaj sasie droge, figuronte të ishte edhe Suel Çela. I cili mbante në këtë aplikacion pseudonimin ‘SS’ që duket të kenë qenë incialet e gjeneraliteteve të tij.
Si edhe Marsel Shega, me pseudonimin ‘Mercedesi’. Por edhe anëtarë të tjerë të bandës, ku gjithsecili prej tyre ishte i lidhur me kreun e organizatës nëpërmjet një pseudonimi që i identifikonte përgjatë bisedave. Këtu ku del se promotori kryesor i këtyre ngarkesave, ishte Marsel Shega, me gjeneralitetet e mëparshme Bujar Shega, që duket se kishte patur rolin e bashkëfinancuesit, dhe organizatorit të transportit.
Si edhe Marjus Lulaj, apo ndryshe Suel Çela, edhe ky në rolin e bashkëfinancuesit per blerjen e rreth 50 kilogram lënde narkotike të llojit kokainë, me qëllim trafikimin e saj nga Ekuadori në Belgjikë dhe shitjen e saj në tregun europian.
Më datë 13 Nëntor 2020 në orën 09:19, Marjus Lulaj (Suel Çela) komunikon me Hajdar Lalën , të cilit i dërgon dy fotografi, ku shquhen disa pako në formë drejtkëndshe, të presuara të mbështjella me material ngjitës me ngjyrë kafe të vendosura mbi njëra-tjetrën, dhe mbi to një material kartoni me mbishkrimin me ngjyrë të kuqe ‘MERCEDEZ, BISHA, 10-11-2020’.
Nga mënyra e paketimit dhe në kontekstin e bisedës dyshohet se në fotografi shfaqet një ngarkesë me lëndë narkotike, sasia e së cilës nuk mund të përcaktohet.
Por sërish ngarkesa është vonuar të ngjitet në anije.
Dhe këtë Suel Çelës ia thotë vetë Marsel Shega. Gjë që rrit edhe më shumë shqetësimin të porositësit e sasisë së drogës.
Ndërkohë që dyshimet janë se një pjesë e drogës që i përkiste ‘Bujarit’ mund të jetë vjedhur rrugës, pasi konteineri kishte mbërritur bosh në port. Për këtë arsye duke pasur dyshimin se droga mund të ishte grabitur, Suel Çela u dërgon bashkëpunëtorëve të tij dy foto të drogës që i përket personit me emrin ‘Bujari’ dhe ‘Bisha’, që më gjasa pasi është vjedhur, mund të ketë dalë në treg. Dhe për këtë ai dërgon fotografitë me stampat në mënyrë që nëse do dilte në treg, droga të identifikohej nëpërmjet etiketave.
Dyshimet vazhdojnë edhe më tej.
Ndërsa Suel Çela i premton Marsel Shegës hakmarrje nëse del që droga e tij është vjedhur.
Hijet më të forta të dyshimit tashmë bien mbi personat që kishin për detyrë të nxirrnin drogën nga porti.
Ndaj për këtë arsye duheshin kryer verifikime.
Suel Çela
‘Nëse rezulton se grupi i daljes e ka vjedhur apo ka mashtruar atëherë ai duhet ekzekutuar, pasi dikush duhet të bëhet shembull’.
Nga konteksi i kësaj bisede dyshohet se Suel Çela merr konfirmimin nga bashkëbiseduesi i tij Marsel Shega se ngarkesa më lëndë narkotike të cilën e prisnin për t’u nisur sapo ka marrë rrugën dhe për një periudhë kohore prej 20 ditësh do të jetë në destinacion.
Nga bisesat që Suel Çela bën me bashkëpunëtorin e tij Gazmend Disha, i cili edhe ai ka një pjesë të kokainës në bord, lihet të kuptohet se ngarkesa e plotë është 1300 kliogram.
Dhe se Bujari i kishte konfirmuar që ngarkesa ishte nisur në mëngjes, dhe për të mbërritur deri në Belgjikë duheshin të paktën 27 ditë.
Por ndërsa po i gëzoheshin faktit që festat do i gjenin të lumtur, një lajm i tmerrshëm mbërrin për porositësit e drogës.
Kokaina që ata prisnin dhe që ata mendonin se ishte nisur një ditë më parë ishte sekuestruar sërish në portin e nisjes.
Gjë që vërtetohet edhe nga aktet e sekuestrimit të mbajtura nga autoritetet ligjzbatuese në Ekuador.
Lajmin për sekuestrimin e lëndës nartkotike ia pohon Suel Çelës dhe vetë Marsel Shega.
Që duket shumë i pezmatuar, pasi ka humbur një tjetër ngarkesë brenda pak kohësh, në mënyrë të çuditshme në të njëjtin port në Ekuador.
Bisedat në Sky Ecc
Marsel Shega- …Mjesi vlla…Po e nis me lajm të keq…
Puna që hypi na paska rënë…
Sapo erdhi ai i hypjes më takoj…
Do më sqaroj më mirë për detaje…
Do kaloj andej nga ty pastaj…’
Por Suel Çela nuk bashkëpunoi vetëm me Marsel Shegën në trafikun e kokainës.
Ai ndërkohë ishte futur në marrëdhënie edhe me Ergys Dashin, një tjetër narkotrafikant që më pas u ekzekutua në Ekuador.
Siç është edhe ky episod i dështuar i trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ku më 5 Janar 2021, policia hollandeze sekuestroi në portin e Roterdamit 446 pako me kokainë të fshehura në dyshemenë e një konteineri.
Konteiner që në dokumente ishte i ngarkuar me bananë dhe kishte mbërritur në këtë port nga Ekuadori.
Operacionin gjatë të cilit në Holandë u arrestuan disa persona.