Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi, ka shpërndarë mesazhin e tij në lidhje me strategjinë e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke theksuar se Partia Socialiste nuk do të jetë mazhorancë pas këtyre zgjedhjeve.
Në emisionin “Log” në News 24, Këlliçi theksoi se sondazhi më i mirë për ta është ai që realizohet çdo ditë, duke komunikuar drejtpërdrejt me qytetarët dhe duke shpjeguar programin e Partisë Demokratike.
“Strategjia jonë, sipas strategut të fushatës, Chris LaCivita, është të zhvillojmë takime të vazhdueshme me qytetarët dhe bizneset. Kemi avantazhin që pala tjetër nuk ka një program konkret për t’u ofruar qytetarëve,” u shpreh ai.
Këlliçi u shpreh se është i bindur që kjo qasje direkte dhe komunikimi derë më derë me qytetarët do të sjellin mbështetje të fortë dhe do të çojnë në një ndryshim të thellë në politikën shqiptare pas 11 majit.
Ai shtoi se kjo fushatë po udhëhiqet nga dëshira për të sjellë një ndryshim të vërtetë për qytetarët, dhe PD është e gatshme të ofrojë një alternativë të besueshme për të ardhmen e vendit.
Sipas Këlliçit, qytetarët janë të gatshëm për ndryshim dhe kjo fushatë do të përqendrohet në komunikimin e drejtpërdrejtë dhe transparencën e plotë për programin e PD.
()