Policia e Korçës ka zbardhur më shumë detaje mbi trupin e dekompozuar që u gjet dy ditë më parë në malin e Gramozit, nga disa barinj që ishin duke kullotur bagëtitë.
Mësohet se në pjesën e kafkës së viktimës është konstatuar një vrimë, që është pasojë e një goditje me armë zjarri, ndërsa burime për BalkanWeb bëjnë me dije se për rastin e Sherif Mukajt ka mbi 20 të shoqëruar në polici.
I riu në fjalë ishte denoncuar i zhdukur nga familjarët më 1 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa i ati shprehej për mediat se nuk kishte probleme finaciare dhe se nga komunikimet me të, nuk kishte vënë re ndonjë shqetësim.
Njoftimi i policisë:
Informacion shtesë në lidhje me trupin e dekompozuar që u gjet dy ditë më parë në malin e Gramozit.
Në vijim të informacionit paraprak të datës 11.06.2022, i cili bën fjalë për gjetjen e një kufome të seksit mashkull, të dekompozuar, në vendin e quajtur “Hau i Kreshovës”, në malin Gramoz, Kolonjë, ju informojmë se:
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e viktimës, nga këqyrja e skeletit, në pjesën e kafkës është konstatuar një vrimë tejshpuese që dyshohet se mund të jetë shkaktuar nga përdorimi i armës së zjarrit. Nga kontrolli i ushtruar në vendngjarje, nuk është gjetur gëzhojë apo predhë arme zjarri. Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan një xhup, brenda të cilit kishte një aparat celular.
Nga të dhënat e deritanishme dyshohet se trupi i përket shtetasit Sh. M., 29 vjeç, banues në fshatin Starje, Kolonjë, i cili rezulton i larguar nga banesa që pas kallëzimit të bërë nga babai i tij, më datë 10.11.2021, pranë Komisariatit të Policisë Kolonjë.
Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, mbetjet kockore do të dërgohen në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë, ku do t’i nënshtrohen ekzaminimeve përkatëse.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja me paramendim”.