Emanuela Rusta thyen tabunë e futbollit shqiptar, e para femër që drejtoi në Superiore: Tani dëshiroj derbin

Gjyqtarja ndërkombëtare Emanuela Rusta, në fundjavën që shkoi ka thyer një tabu të mirëfilltë në futbollin shqiptar. Ajo u bë gjyqtarja e parë që drejtonte një ndeshje në Superiore, atë mes Skënderbeut dhe Laçit, teksa kishte pasur më parë vetëm eksperienca të rëndësishme në Kupën e Shqipërisë, duke qenë gjyqtare e katërt apo e linjës.

rusta

Rusta, e cila prej tre vitesh mban stemën e FIFA-s, ka treguar se ëndërron që kjo eksperiencë të mos jetë unike, por të drejtojë edhe në vazhdimësi në Superiore, me qëllimin e saj që një ditë të jetë ajo që udhëheq skuadrat në fushë para një derbi të kryeqytetit, siç ka treguar në një intervistë për faqen e FSHF.

– Këtë fundjavë ke gjykuar për herë të parë një ndeshje të kategorisë “Abissnet Superiore”, duke shënuar një moment historik për futbollin shqiptar. Si ndihesh që je arbitrja e parë femër që arrin të drejtosh një ndeshje në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar?
– Nuk do ta lidhja shumë me veten si Emanuela, aq sa do ta lidhja me besimin e dhënë kohë pas kohe për të arritur në këtë nivel. Do të tregohesha e pavërtetë nëse nuk do ta pranoja se ishte një eksperiencë fantastike, për të cilën kam punuar gjatë dhe e kam dëshiruar prej kohësh. “Abissnet Superiore” është një kategori me një nivel tepër të lartë teknik dhe taktik, çka imponon një përgatitje serioze për ta përballuar.

rusta

– Si e përjetove këtë eksperiencë të re? A je e kënaqur me paraqitjen tënde në ndeshjen Skënderbeu-Laçi?
– Sikurse u shpreha më sipër, nuk mund të mos e pranoj se ishte një eksperiencë nga ato që do ta mbaj mend gjatë. Është një stad i ri për karrierën time tanimë. Mendoj se në tërësinë e saj paraqitja ime ishte e kënaqshme. Gjithsesi, kam nxjerrë konkluzionet e mija mbi atë se çfarë dhe ku mund të bëja më mirë. Është një nivel i cili të lejon të shprehesh dhe përmirësohesh ndeshje pas ndeshje. Edhe ekipet kishin një qasje profesionale, pa me paragjykuar mbi mundësitë e mia për ta përballuar ndeshjen. Loja e zhvilluar ishte fair-play e në këtë kuptim ekipet ma bënë më të lehtë.

– E ndjen se ka ardhur momenti që arbitret femra të jenë më shpesh të pranishme në ndeshje të nivelit të lartë?
– Prezenca e arbitreve femra në ndeshje të këtij niveli ka qenë e vazhdueshme, qoftë në cilësinë e asistentit apo arbitrit. Mendoj se profesionalizimi nuk lidhet me konsiderata të karakterit gjinor. Ka mjaft raste frymëzuese në kampionatet e huaja, të cilat kanë arbitruar edhe finale të Champions League. Nga ana e saj, Shoqata e Arbitrave gjithnjë ka pasur në fokus të saj promovimin e femrave, ndaj kjo nuk është as rastësi dhe as fundi i procesit. Shpresoj se nuk do të jetë e largët dita kur të jemi katër femra që gjykojmë një ndeshje të “Abissnet Superiore”.

rusta

– Pas kësaj arritjeje, cili është objektivi yt i ardhshëm sa i përket arbitrimit? Çfarë synimesh i ke vënë vetes?
– Parapëlqej që objektivat t’i kem të mundshëm e të realizueshëm. Do të vazhdoj të punoj po me të njëjtën dëshirë dhe insistim për të qenë pjesë e përjavshme e kategorisë “Abissnet Superiore”. Për rrjedhojë kjo eksperiencë gjykoj se do të më ndihmojë të performoj akoma më mirë edhe në ndeshjet ndërkombëtare. Të jem e sinqertë, objektivi i radhës dhe dëshira është të jem femra e parë që do të gjykojë një ndeshje derbi.

emanuela rusta2

– A keni një mesazh për të gjitha arbitret femra apo për vajzat që synojnë të bëhen pjesë e arbitrimit të futbollit?
– Do t’i ftoja të mos hezitojnë. Ta vlerësojnë si mundësi për të zhvilluar një karrierë ndryshe nga sa mund të jetë diçka më e zakonshme. Megjithëse, në dukje është një ambient kryesisht mashkullor, ndihem e respektuar dhe e vlerësuar për punën që bëj në fushë. Për sa kohë e konsideron si një marrëdhënie profesionale, je korrekte, objektive dhe e përkushtuar, ndihma nuk mungon qoftë nga kolegët meshkuj apo nga shoqata e dizenjatori i arbitrave.

Arena e Lajmit


Loading…

Emanuela Rusta thyen tabunë e futbollit shqiptar, e para femër që drejtoi në Superiore: Tani dëshiroj derbin

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook