Pas dështimit të raundit të tretë për emrin e Presidentit, ditën e sotme do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve. Mësohet se mbledhja do të nisë në orën 14:00.
Kujtojmë se edhe në raundin e tretë, opozita nuk solli asnjë kandidaturë në atë që u përcaktua si shansi i fundit nga maxhoranca për të propozuar kandidat për Kreun e ri të Shtetit.
Në raundin e katërt maxhoranca ka paralajmëruar se do të jetë ajo që do të propozojë kandidatët për president që do të çohen më pas për votim në parlament.
“Në orën 14:00 do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve. Në këtë raund të katërt PS e ka të gjithë fushën e saj, pasi nuk e pengon asgjë dhe askush për të zgjedhur e vetme kreun e shtetit.”, tha gazetari Ergys Gjençaj në një raportim live për News24.
Sipas Gjençajt, mendohet se raundi i katërt mund të mbahet edhe ditën e shtunë, ndërsa ngelet ende për t’u konfirmuar ky fakt. Duke u ndalur te emrat e lakuar nga socialistët për presidentin e ri, Gjençaj tha se ka pasur nga ata që kanë propozuar emrin e Gramoz Ruçit, por edhe të Edi Ramës.
Fill pas ardhjes së kryeministrit Rama nga SHBA-të ditën e premte, po atë pasdite do të mbahet edhe mbledhja e Kryesisë së PS-së ku do të diskutohet mbi emrin e kandidatit për kryetar shteti.
Në raundin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, çka do të thotë se maxhoranca i ka votat.
Arena e Lajmit