Analiza e duelit Milan-Inter/ Treni “Titull”, në ndalesën e fundit

Të dielën do të luhet java e fundit e Serisë A dhe do të jepet verdikti mbi kampionatin më të luftuar të viteve të fundit.

INTER MILAN

Pasiguria është sovrane e Serisë A. Milani dhe Interi janë të distancuara nga dy pikë. Ekipit të Piolit i mjafton vetëm një pikë ndaj Sasuolos, ndërsa djemtë e Inzagit përveç fitores, duhet të kërkojnë edhe ndonjë ndihmë hyjnore.

DIMËR ZIKALTËR

Që ka qenë një kampionat “i çuditshëm” e tregon vetë ecuria e ekipeve. Juvja që pritej protagoniste fale rikthimit të Alegrit e nisi duke belbëzuar sezonin. Momentin e bardhezinjve e shfrytëzoi Napoli që u propozua si kandidate titulli me tetë fitore në po aq ndeshje. Në javën e nëntë, ekipi i Spaletit u ndal nga Roma dhe Milani mori kryesimin. Kuqezinjtë, me moshë shumë të re dhe pa kampionë (përjashto Ibrën), propozuan një lojë të re me presing e vertikalizime efikase. Pas largimi të Kontes dhe “mbretit” Lukaku, Interit iu desh pak kohë të thithte metodën “Inzagi”.

Me njerëz vendimtarë në çdo repart, nga Brozoviçi te Perisiçi, zikaltrit menduan se do të mjaftonte Xheko dhe Lautaro për të dominuar rishtazi. Besimi i tyre u forcua në vjeshtë kur skuadra pati momentin e saj më brilant duke dhënë prova konkrete të forcës së saj. Në atë kohë, Milani u duk sikur uli ritmin për të marrë frymë, fundja nuk mund të vraposh gjithmonë në një garë me shumë etapa.

GODITJA NË DERBI Muaji kyç i kësaj Serie A ishte shkurti. Kuqezinjtë dihasnin ende dhe pasi nisën të linin pikë edhe ndaj ekipeve më të dobëta në teori mundën të ringrihen. Në anën tjetër të Milanos, po mundoheshin të konkurronin edhe në Champions, pa hequr dorë nga Kupa e Italisë. Në atë fazë dolën në pah të gjithë kufijtë e një skuadre të fortë, por jo të pathyeshme dhe në javën e 24-t “Djalli” tregoi dhëmbët duke i dhënë dy grushte në derbi pasi kishin qenë në disavantazh.

Interi nuk diti të reagojë ndaj goditjes, ndërsa Milani i dha shpresa vetes, por edhe Napolit. Në javën e 31-të djemtë e Piolit frenojnë në shtëpi kundër Bolonjës, ndërkohë që Interi duke fituar ndaj Juves gjen forcë për të vendosur gjithçka në diskutim. Tri fitore radhazi dhe zikaltrit e çojnë veten dy pikë larg Milanit kryesues.

UDHËKRYQI BOLONJA

Kur u mendua se një duel tresh do të vendoste skudeton, Napoli u përjashtua në mënyrë sensacionale pasi humbi ndaj Fiorentinës dhe Empolit. Interi, me dy pikë disavantazh, kishte ende një ndeshje për të kompensuar në Bolonja.

Mjaftonte një fitore e mund të rikthehej në krye të renditjes, por kampionët në fuqi dështuan përsëri në provimin e pjekurisë. Që nga ajo disfatë ku kishin shijuar edhe fitoren, zikaltrit i dorëzuan fatin Milanit që nisi një seri suksesesh duke mposhtur Fiorentinën, Veronën jashtë dhe Atalantën. Kuqezinjtë kanë ruajtur diferencën e avantazhit prej dy pikësh që ushqen shpresën në sprintin e fundit, teksa për triumfin mjafton qoftë edhe një pikë.

Arena e Lajmit


Loading…

Analiza e duelit Milan-Inter/ Treni “Titull”, në ndalesën e fundit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook