Zlatan Ibrahimoviç i është kthyer edhe një herë aventurës së tij në radhët e LA Galaksi në kampionatin amerikan të futbollit dhe nuk ka ngurruar të lëshojë përsëri batutat e zakonshme. Duke folur për ESPN, sulmuesi suedez ka insistuar se ka qenë ai lojtari më i mirë që ka luajtur ndonjëherë në një kampionat të tillë.
“I jam mirënjohës MLS-së, pasi më ka dhënë mundësinë që të ndjehesha përsëri i gjallë. Por isha ende shumë i gjallë, ndaj isha më i mirë se sa duhej për të gjithë turneun. Kam qenë më i miri absolutisht që ka luajtur në MLS dhe nuk e them për çështje egoje. U argëtova…
Dhe më pëlqen mënyra se si punojnë atje, mënyra se si bënin gjërat e marketingut. Mendoj se të luaja në MLS ishte mënyra më e mirë për t’u kthyer pas dëmtimit. Isha në gjendjen më të mirë që kam qenë ndonjëherë. Jam shumë krenar që kam luajtur në këtë kampionat, më thoshin që stadiumet ishin të boshatisura por me mua aty nuk ndodhte asnjëherë. Nuk i dihet asnjëherë, ndoshta mund të kthehem një ditë. Mund t’u kujtoj atyre çfarë është futbolli i vërtetë. Ndoshta do të kthehem e të kem një klubin tim”, tha Ibrahimoviç në intervistën e tij.
Arena e Lajmit