Ditën e sotme i është dhënë lamtumira e fundit producentes dhe regjisores, Vjosa Berisha.
Ajo u përcoll për në banesën e fundit nga familjarët e ngushtë dhe një rreth i gjerë personazhesh publike që e njihnin atë, si vëllai i saj: producenti Shkumbin Istrefi, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, këngëtari dhe prezantuesi Robert Berisha, aktorët: Eshref Durmishi e Mensur Safqiu, si dhe shumë të tjerë.
Përgjatë ditës, në Teatrin Kombëtar të Kosovës u realizuan homazhe të shumta në nderim të jetës dhe karrierës që la prapa. Pjesë e nderimeve ishin edhe krerët e shtetit si: kryeministri Albin Kurti, kreu i Kuvendit Glauk Konjufca si dhe ish-kryeministri, tani deputeti Ramush Haradinaj. Mbledhja nisi me një fjalim të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, më pas të producentit Yll Uka, e në fund të bashkëshortit të saj, Fatos Berisha.
“Ju falënderoj të gjithëve që jeni këtu sot, që të ndani dhimbjen me familjet tona Berisha dhe Istrefi. Do t’i falënderoj të gjithë njerëzit nga anë e mbanë bota që e kanë përkrahur Vjosën gjatë sëmundjes së vështirë. Dua të falënderoj mjekët që janë kujdesur për Vjosën, mjekët infermierët, klinikën në Gjermani dhe spitalin në Londër. Të gjithë ne që jemi këtu e kemi njohur Vjosën, shpirtin e saj luftarak, para të gjithave sfidave. Po të mos ishin sfidat, Vjosa nuk kishte qenë e tillë. Gjitha betejat i ka tejkaluar, ndoshta përveç kësaj. Ajo e ka sfiduar edhe këtë me faktin që i ka dhënë mbështetje shumë njerëzve me sëmundjen e kancerit, sidomos vajzave dhe grave. Ju falënderoj për pjesëmarrjen, ju njoftojmë se varrimi është në varrezat e Prishtinës në ora 17:00”, -tha në fjalën e tij producenti i njohur.
Ndërsa kryeministri Kurti tha se falë punës së saj, Kosova është bërë vend i njohur dhe është vendosur në hartën e kulturës botërore. “Sot po ja japim lamtumirën e fundit artistes, regjisores, udhëheqëses artistike, organizatores Vjosa Berisha. Kujtimet për të cilën mbeten të pashlyeshme e të paharrueshme për të gjithë ne që e njohëm atë. Prishtina si kryeqytet i Kosovës, artdashësit dhe qytetarët kanë mbetur pa një grua e cila me pozitivitetin e saj por edhe me talentin e saj i dha shumë kulturës dhe artit tek ne, përfshirë këtu filmat dhe festivalin që e organizoj “Prifest” i cili u bë një vend në të cilin ne takonim artistë e aktor nga bota që edhe vizitonin Kosovën por edhe kontribuonin për vendin tonë që të futet në hartën e artit dhe kulturës botërore”.