Filip Najdovski ishte menduar si i larguari i dytë pas kapitenit Erjon Hoxhallari nga Tirana, direkt pas festës së titullit të 26-të kampion.
Por trajektorja ka ndryshuar drejtim, pasi drejtuesit bardheblu kanë arritur të bindin një nga pikat kryesore të skuadrës, 29-vjeçarin nga Shkupi, i cili kontribuon si në qendër të mbrojtjes dhe në mesfushë.
Bisedimet mes palëve kanë nisur prej kohësh, por janë finalizuar gjatë ditës së djeshme, ku është gjetur edhe akordi.
“Panorama Sport”ka mësuar se fillimisht ka pasur mosdakordësi mes palëve për sa i përket afatit të rinovimit të kontratës, që padyshim do të vinte edhe me rritje të termave financiarë.
Gazeta mëson se lojtari vuri si kusht për rinovimin, që kontrata e re të ishte dyvjeçare. Por, drejtuesit preferonin që kontrata e re të ishte njëvjeçare.
Duke dashur që të mos prishin strukturën e skuadrës kampione, si dhe për të plotësuar edhe dëshirën e trajnerit Orges Shehi, që e shikon si të nevojshëm 29-vjeçarin maqedonas, Tirana është “dorëzuar” para Najdovskit duke i plotësuar dëshirën për të firmosur edhe për dy vite të tjera me bardheblutë.
Lajmin e rinovimit të kontratës e ka pranuar vetë lojtari për “Panorama Sport”, i cili i pyetur për këtë gjë, shkurtimisht ka deklaruar: “Po, është e vërtetë që kam rinovuar edhe për dy vite në vazhdim me Tiranën”.
Gazeta ka mësuar se lojtari parashikohet të ketë një rritje të kënaqshme rroge, pasi pritet të përfitojë afro 2 mijë euro më shumë në muaj. Në dallim nga rinovimi i pretenduar i Hoxhallarit, që u publikua edhe nga vetë klubi, në rastin e Najdovskit bardheblutë po tregohen më të kujdesshëm.
Duke ditur që kontrata e re nuk ka marrë akoma trajtë zyrtare, pritet që në vijim të vijë edhe rinovimi zyrtar, ndonëse vetë lojtari e ka pranuar për “Panorama Sport” se ka gjetur akordin për të rinovuar edhe për dy vite të tjera me 26 herë kampionët e Shqipërisë.
“SINDROMA E KAMPIONIT” – Kategoria Superiore në sezonet e fundit ka vuajtur nga “sindroma e kampionit”, sëmundja më e re për ekipet që kurorëzohen.
Simptomat e kësaj sëmundjeje janë se ekipi që del kampion menjëherë shpërbëhet, duke nisur nga stafi teknik deri te lënia lirë e boshtit të skuadrës.
Zëra pati që edhe Tirana e këtij edicioni mund të kapej nga ky virus, që shenjat e para i pati me parakontratën e kapitenit Erjon Hoxhallari në Rumani.
Por drejtuesit me sa duket e kanë ekzaminuar shpejt virusin, pasi po arrijnë të bindin protagonistët e titullit për të krijuar një cikël vazhdimësie duke nisur nga trajneri Orges Shehi.
Mbetet për t’u parë në vazhdim nëse “sindroma e kampionit” do të pësojë ndonjë “mutacion” te bardheblutë.
ILIR CARA – Arena e Lajmit
Loading…