“Do mbetesh i gjallë me veprat dhe përkushtimin ndaj vendit”/ Lamtumira për ish-Presidentin Nishani, Berisha nuk arrin të përfundojë mesazhin, shpërthen në lot (Video)

Berisha Perlotet

Ish-kryeministri Sali Berisha ka lexuar mesazhin e fundit të lamtumirës për ish-Presidentin e Republikës dhe mikun e tij Bujar Nishani, i cili është përcjellë sot në banesën e fundit.

Teksa ka vlerësuar lart figurën e Nishanit, duke theksuar se do të mbetet Pnjë burim i pashtershëm frymëzimi dhe do kesh përgjithmonë mirënjohjen, Berisha nuk ka arritur dot të përfundojë mesazhin me lutjen për t’u prehur i në paqe, por është mbytur nga lotët.

Jemi këtu rreth teje të të përcjellim me dhimbje të madhe dhe pikëllim të thellë në udhëtimin tënd pa kthim, në udhëtimin tënd të përjetshëm të parakohshëm që ti nise pasi ke ngjitur si rrallëkush tjetër shkallët e jetës dhe ato më të larta të detyrës. Por në fakt, ti megjithëse largohesh nga ne përgjithmonë, përsëri për sa kohë që ne do jetojmë do mbetesh i gjallë midis nesh me veprat, fisnikërinë, dhuntitë e larta morale, përkushtimin e pakufishëm, shërbimet e mëdha dhe të çmuara ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugëtimin e tyre në liri.
Vlerat morale, virtytet, veprat, mirësitë e njeriut janë dhë pavdekësia e tij tokësore. Kështu që me ne mbetet dhe do jetojë gjithmonë Bujar Nishani, njeriu i dashur, qytetari i përgjegjshëm dhe atdhetar, prind dhe bashkëshort i dashur dhe shembullor, shërbëtor i përkushtuar i qytetarëve të këtij vendi, demokrat i flakët dhe guximtar, drejtues i talentuar i PD-së, burrështetas fisnik, president i aftë dhe dinjitoz që i dha vendit e kombit në drejtim nder dhe dinjitet të veçantë.
Por përsëri pas kësaj lamtumire, pas kësaj ndarjeje të dhimbshme të papritur me ty, secili prej nesh ndihet më i pakësuar sepse me ndarjen e trishtë me ty ne kemi humbur një pjesë të çmuar, të dashur të shpirtit dhe zemrës sonë. Po, sot këtu para teje të gjithë ne jemi më të paktë në vete.

Odeta ndihet sot më e paktë, më e trishtë se kurrë në jetën e saj për bashkëshortin fisnik që u largua para kohe prej saj.
Për Ersin, Fjonën sot është dita më e dhimbshme e jetës së tyre, por ata do jenë krenarë gjithmonë se patën fatin e madh të kenë një baba si ti dhe të rriten, ushqehen në kopshtin e pasur të vlerave më të larta njerëzore. Për Baba Faikun sot zija është më e rëndë se toka, por ai përsëri ndihet krenar se rriti një djalë si ti që i zbardhi faqen.
Për të gjithë ne të tjerët që patëm mundësi të të njohim e bashkëpunojmë, por dhe për gjithë shqiptarët që besojnë në vlerat e përjetshme të moralit të njeriu do mbetesh një burim i pashtershëm frymëzimi dhe do kesh përgjithmonë mirënjohjen e do jetosh gjithnjë në kujtesën tonë.
Dua të shpreh mirënjohje të thellë për familjen tënde dhe të gjithë ata që bënë gjithçka që ti të mos niseshe sot në këtë rrugë. U prehtë në paqe miku im i dashur, i lehtë qoftë dheu i tokës sonë, lamtumirë!”, tha Berisha.

“Do mbetesh i gjallë me veprat dhe përkushtimin ndaj vendit”/ Lamtumira për ish-Presidentin Nishani, Berisha nuk arrin të përfundojë mesazhin, shpërthen në lot (Video)

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook