Janë zbardhur detaje të reja për atentatin me armë zjarri që ka ndodhur pak minuta më parë në qytetin e Elbasanit. Mësohet se në drejtim të automjetit të shtetasit Arben Bekteshi është qëlluar shtatë herë me armë, por asnjë prej plumbave nuk e ka kapur atë.
Shkak i këtij sulmi me armë në lagjen “Skënderbej” është bërë sherri që Bekteshi ka pasur me 38-vjeçarin Ermal Matishi, i cili banon në të njëjtën lagje.
Gazetari Igli Çelmeta bën me dije për BalkanWeb se autori 38-vjeçar dhe Bekteshi janë konfliktuar 3 javë më parë me njëri-tjetrin për një parakalim të gabuar me makinë.
Ndërkohë sot autori i ka zënë pritë 30-vjeçarit dhe e ka qëlluar me armë zjarri tip pistoletë TT, e cila u gjet disa metra larg vendngjarjes. Gjithashtu në vendngjarje janë gjetur 7 gëzhoja arme.