Deputeti opozitar Dashnor Sula, ka kritikuar vendimet e dala nga bordi i transparencës. Në një postim në rrjete sociale ai thotë se në kohën që PD ishte në pushtet dhe një fuçi naftë në bursë ishte 148 dollarë, çmimi i reflektuar në Shqipëri ishte 190 lekë për litër.
Ndërkohë, aktualisht ku çmimi në bursë është 120 dollarë, në vend, nafta tregtohet me 250 lekë për litër. Sula thekson se në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, në të njëjtën kohë, çmimi është më i ulët se në vendin tonë, edhe pse këta dy shtete sipas tij kanë “mbi kurriz” edhe kostot e transportit nga portet në pikat e shitjes.
Postimi i Dashnor Sulës:
Si po vidhen shqiptarët nga Bordi i Transparencës së Rritjes së Çmimeve
Prej 3 ditësh çmimi i naftës me pakicë në Shqipëri po shitet 250 lekë për litër. Bordi skandaloz i rritjes së çmimeve, sapo shkoi në bursë fuçia 120 dollarë u mblodh menjëherë dhe e shtrenjtoi naftën në mënyrë ekstreme. Për kujtesë në kohën e krizës së naftës gjat qeverisjes së PD, kur një fuçi shitej me shumicë 148 dollarë, në Shqipëri me pakicë tregtohej 190 lekë për litër.
Për të ardhur në situatën aktuale. Dje në bursë një fuçi u shitë me 113 dollarë, por “Bordi i Vjedhjes së shqiptarëve” nuk u mblodh për të ulur çmimet. Ndërkohë sot në bursë kanë rënë sërish çmimet. Në bursë një fuçi naftë shitet 115 dollarë me trend ulës pasi OPEC+ ka lajmëruar rritjen e prodhimit, por sërish në pikat e karburanteve në Shqiperi, 1 litër naftë shitet 250 lekë. Ky është Bordi i Transparencës të dashur qytetarë.
Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë më shumë kosto për të çuar naftën në pikat që shiten me pakicë. Ato vijnë e marrin naftën në portet shqiptare dhe sërish e shesin më lirë. 1.43 euro tregtohet një litër naftë në Maqedoninë e Veriut ndërsa te ne në të njëjtën ditë 250 lekë për litër.
Krijimi i bordeve me përfaqësues të biznesit dhe qeverisë është për të vjedhur shqiptarët dhe jo për të bërë transparencë për qytetarët. Shteti duhet të ndërhyjë me indeksime ose të heqi mbivendosjen e taksave.
Arena e Lajmit