EKSKLUZIVE/ Pengu me Fejnordin, Dosti kujton mjerimin ndaj holandezëve: Humba rastin për historinë

Partizani e solli për herë të parë Fejnordin në Shqipëri, në vitin 1991 për llogari të Kupës së Kupave, ndërsa tani ekipi nga Roterdami do të diskutojë në Tiranë finalen e Ligës së Konferencës me Romën.

Dosti

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i Partizanit, Edmond Dosti, tregon përballjet e para tri dekadave me holandezët, ku nuk i shqitet nga kujdesa shpërdorimi i një rasti që mund t’u sillte kualifikimin “Demave” në Holandë.

Gjithashtu sqaron edhe pse Partizani luajti me fanella të verdha në Tiranë dhe kush i veshi me të kuqe në Roterdam, si dhe humanizmin që treguan holandezët ndaj tyre.  Dosti pohon se me zhvillim e finales në Tiranë UEFA i ka bërë një dhuratë të madhe Shqipërisë duke i bërë të gjithë krenarë.

Për herë të parë Fejnordi ka ardhur në Shqipëri në vitin 1991 dhe luajti ndaj Partizanit, ku bënit pjesë edhe ju. Ndërsa tani vjen për një finale europiane ndaj Romës. Si e komentoni këtë zhvillim?

Janë dy gjëra krejt të ndryshme. Herën e parë jam ndeshur personalisht me Fejnordin, ndërsa tani holandezët vijnë për një finale europiane, që çdo shtet në Europë do ta kishte dëshirë dhe zili. Kjo ngjarje është e veçantë që i bën nder jo vetëm futbollit shqiptar, por mbarë vendit në përgjithësi. Jemi të gjithë krenar që UEFA i ka dhënë mundësinë Shqipërisë të zhvillojë një veprimtari gjigante në Tiranë.

Kupa e Kupave Partizani Fejnord

Holandezët patjetër që do të gjejnë ndryshime të mëdha, nisur nga vizita e parë në Shqipëri…

Holandezët do të gjejnë një Shqipëri totalisht ndryshe nga vizita e 1991-shit dhe do të mahniten. Tirana do u lërë mbresa për mirë. Shqipëria ka ndryshuar shumë në tri dekada dhe nuk ka lidhje me atë që ata kanë parë kur erdhën për t’u ndeshur me Partizanin. Kjo veprimtari do t’i japë përparësi Shqipërisë që në të ardhmen të marrim edhe ndonjë finale tjetër, mbase edhe më të bukur se kjo e tanishmja.

Cili Fejnord është më i fortë, ai që u ndesh me Partizanin para 31 viteve apo aktuali që është në finale të Ligës së Konferencës?

E them me bindje të plotë se Fejnordi që jemi ndeshur ne ka qenë më i mirë. Ekipi i asaj periudhe ishte baza e kombëtares holandeze. Futbolli ka evoluar dhe bëhet fjalë për një Fejnord tjetër tani. Me aq sa i kam parë, mendoj se Fejnordi që do të vijë tani në Shqipëri ka një ekip të mirë dhe gjersa ka mbërritur në finale do të thotë që kanë qenë ndër skuadrat më të mira të këtij kompeticioni. Do të jetë një finale e bukur dhe një ndeshje e vështirë edhe për Romën.

Roma apo Fejnordi do ta fitojë trofeun e parë të Ligës së Konferencës?

Me Murinjon Roma ka bërë një sezon shumë të mirë, sidomos në Europë. Do të jetë e vështirë, por mendoj se Roma ka fatin e madh që kjo finale zhvillohet në Tiranë duke pasur më shumë tifozë në mbështetje sesa Fejnordi. Dihet që ne shqiptarët anojmë më shumë, sa i përket tifozllëkut, nga italianët, ndaj edhe i urojmë që ta fitojnë këtë Kupë.

Kjo është dëshira jonë si shqiptarë, por futbolli është plot të papritura, sidomos finalet. Kam edhe një ndjenjë tjetër, pasi kam luajtur dikur ndaj Fejnordit, por si tifoz italian dëshirë kam që të fitojë Roma. Të fitojë më i miri, por e rëndësishme është që Shqipëria të lërë gjurmë me këtë finale. Pas kësaj finaleje të gjithë duhet të ndihemi krenar për një event të tillë që u zhvillua në Shqipëri.

Në aspektin personal çfarë mbani mend nga dy përballjet me Fejnordin dhe a ju ka mbetur ndonjë gjë peng?

I mbaj mend shumë mirë, pasi në të dyja takimet bëmë paraqitje të bukur si ekip. Bëhet fjalë për një periudhë ku futbolli shqiptar po kalonte periudhën e tij më të vështirë, pasi vendi sapo ishte hapur duke thyer barrierat e komunizmit. Partizani kishte një ekip të mirë, por ata ishin më të fortë se ne.

Në Tiranë bëmë një ndeshje jashtëzakonisht të mirë. Fati i tyre ishte se unë dhe Ocelli goditëm shtyllën në ndeshjen e parë. Edhe në Roterdam zhvilluam një takim të jashtëzakonshëm, ku unë pata shansin e madh që ta fitonim ndeshjen. Nga transferta e Roterdamit mbaj mend portierin Lekbello, që ka bërë ndeshjen e jetës dhe ka ngelur akoma si simbol i asaj sfide.

Çfarë ndodhi tek ai rast i shpërdoruar?

Pata një dyluftim me qendërmbrojtësin e tyre dhe më doli topi përpara. U nisa shumë shpejt, por fati i keq imi dhe i Partizanit ishte se nuk e pashë daljen e portierit. Po të kisha shënuar në këtë rast do të ishim kualifikuar dhe do të ishte pa dyshim një arrije historike dhe e jashtëzakonshme për Shqipërinë e asaj kohe.

Trajneri Sulejman Starova për “Panorama Sport” sqaroi edhe arsyen pse luajtët me uniforma të verdha. I mbani mend dy lojtarët që u mungonin fanellat e kuqe?

Nuk më kujtohen, por mbaj mend që edhe ne u habitëm, pasi në atë kohë nuk mundëm të gjenim dy bluza të kuqe për të plotësuar kompletin. Nuk i shkonte Partizanit që të luante në shtëpi me ngjyrën e verdhë. Në Holandë luajtëm me uniforma të kuqe, por edhe ato na i dhuruan.

Kush jua dhuroi?

Nuk e mbaj mend mirë, por dikush u bë sponsor për ne duke na dhuruar një komplet me uniforma të kuqe, pasi e morën vesh se cila ishte ngjyra e vërtetë e fanellës sonë. Nuk e mbaj mend mirë, ishte një furrë buke apo biznes tjetër vendës atje që na i bëri dhuratë uniformat e kuqe. Merreni me mend se në çfarë situate ishim, ku nuk kishim as bluza për të luajtur dhe i shkuam shumë pranë kualifikimit.

Përveç kësaj holandezët u treguan shumë humanë si njerëz me ne, pasi duke parë mjerimin tonë arritën të mblidhnin ndihma. Ata sollën në vendin tonë një avion me ndihma, pasi u ndien të prekur nga jetesa në vendin tonë në atë periudhë që vinim nga tmerri i komunizmit. Kam respektim më të madh për atë klub dhe nuk e harroj kurrë gjestin human që ata bënë për ne në çdo aspekt, duke nisur nga ana financiare.

ILIR CARA – Arena e Lajmit

LEXO EDHE: 

EKSKLUZIVE/ Kur Partizani ndalte Fejnord me fanella të verdha, rrëfimi i Starovës: Holandezët shpërndanë ndihma, trajneri i tyre mbaronte për supë (E PLOTË)


Loading…

EKSKLUZIVE/ Pengu me Fejnordin, Dosti kujton mjerimin ndaj holandezëve: Humba rastin për historinë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook