Një basketbollist që u bë futbollist. Kjo është historia e Dusan Vlahoviç, yllit të ri të Juventusit, siç është treguar në librin e publikuar së fundmi rreth tij, “Vlahoviç, nuk mbaron këtu”, të cilin e ka prezantuar vetë sulmuesi. Ai ka treguar në këtë promovim pjesë nga jeta e tij para se të bëhej futbollist, por edhe tani që është pjesë e Juventusit.
“Mendoj se në Serbi që kur jemi të vegjël, na vendosin gjithmonë një top në dorë, që kur isha i vogël kisha dëshirë që të isha në lëvizje. E nisa fillimisht me basketbollin që ishte pasioni im e parë, edhe për faktin se në fillore isha pjesë e një shkolle basketbolli. Kam bërë 2-3 vite basketboll, pastaj duke luajtur me miqtë e mi futboll, vendosa ta ndryshoja. Ishte mamaja ime që më çoi në stërvitjen e parë”, kujton Vlahoviç momentet nga fëmijëria.
Momente të cilat futbollisti 22-vjeçar i kujton me nostalgji duke i lidhur me dëshirën që edhe ai të luante në Ligën e Kampioneve, të cilën dikur e shihte në TV. “Kur thuhet se ëndërron himnin e Ligës së Kampioneve në fillimin e ndeshjes… Nuk e kisha atë lloj eksperience, nuk e kam ende meqë kam bërë vetëm dy ndeshje, por gjatë gjithë javës ndjehet një atmosferë ndryshe kur luhet Liga e Kampioneve. Isha krenar për veten, ishte diçka speciale. Po mendoja me vete “ja ku jam”. Pastaj goli i shënuar, emocionet që ndjen. Do të dëshiroja që të provoja këto emocione për shumë kohë dhe shumë herë. Shpresojmë të mbërrijnë ndeshje të tilla e të jenë të shumta. Ndeshja e parë në Champions që kam parë në TV është Milan-Liverpul e Stambollit, ma tregonte edhe babai im. E kujtoj pak, por më kujtohen tregimet e babait tim”, tha sulmuesi i cili vlerësoi sidomos lidhjen që kishte krijuar me Çezare Prandelin i cili e bëri titullar në moshë të re te Fiorentina.
“Prandeli më emocionon gjithmonë. Babai im nuk do të kishte bërë atë që ka bërë ai për mua. Më thoshte ‘shiko, në vendin e tij nuk do ta kisha bërë këtë’. E falënderoj shumë, dëgjohemi shpesh, ai ishte personi për të cilin kisha nevojë, më ka shtyrë shumë, më ka mbështetur. Do ta falënderoj për gjithë jetën, çfarëdo të ketë lidhja me të, do të jem gjithmonë aty. I jam me të vërtetë mirënjohës, shpresoj që ta takoj së shpejti, deri tani është njeriu i sportit më i rëndësishëm në jetën time”, tha Vlahoviç për ish-trajnerin.
Ai më pas është pyetur për Juventusin dhe ka kthyer një përgjigje që pakkush e priste nga një 22-vjeçar. “Nën trysni? Trysnitë janë të tjera. Është një familje që punon gjithë muajin duke mos ditur nëse do e mbyllë, kjo po që është trysni. Ne luajmë futboll, argëtohemi, duke u munduar që të lumturojmë sa më shumë persona që të jetë e mundur. E kam nisur duke luajtur për pasion, për të bërë krenarë të gjithë njerëzit që më shihnin. Jam i lumtur dhe jeta po shkon mirë, unë dhe prindërit e mi jemi mirë dhe kjo ka më shumë rëndësi. Jam i lumtur që jam pjesë e Juventusit pasi e desha shumë një gjë të tillë”, tregoi sulmuesi serb i bardhezinjve.
Arena e Lajmit
Loading…