EKSKLUZIVE/ 35 gola në 35 ndeshje, një bomber nga Laçi në Itali, Vuthaj: Ndihem si Ronaldo, në Superiore luanin ata që nuk e meritonin

35 gola në 35 ndeshje në kampionat. Bomberi me më shumë rrjeta në Itali këtë sezon është sulmuesi shqiptar Dardan Vuthaj, i cili luan në radhët e Novarës, e cila u ngjit në Serinë C.

VUTHAJ-2-1200x751

26-vjeçari që ka shënuar më shumë se Imobile, Koda e Brunori, golashënuesit e çdo lige në Itali, A, B dhe C pas sezonit të kaluar ku shënoi 21 gola me Riminin, këtë sezon arriti në kuotën e 35 golave. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Vuthaj tregon si ka arritur te Novara, eksperiencën jo të mirë në Shqipëri, si dhe cilat janë synimet për të ardhmen.

Dardan si jeni? Mund të na thoni si arritët te Novara?

Mirë faleminderit. Unë kam arritur te Novara pasi kam zhvilluar një sezon të mirë më përpara me Riminin, kam shënuar 21 gola në 27 ndeshje. Pastaj ka qenë një ish-futbollist, Xhuzepe di Bari, i cili ka besuar tek unë dhe besoj se ia kam shpërblyer, u jam mirënjohës, bashkë me presidentin e ekipit. Të dy i kanë bërë këto lëvizje, kanë qenë disi të kushtueshme për shkak të rrogës dhe shpërblimeve që më kanë dhënë.

Keni shënuar 35 gola, çfarë ndjesie ju jep të jeni golashënues, edhe pse në Serinë D?

Këtu në Itali, golashënuesi që është golashënues bën gol në çdo kategori. Kështu e kanë si shprehje. Prapëseprapë unë ndiej një kënaqësi të madhe pasi kam thyer disa rekorde dhe për mua nuk ka gjë më të bukur, futbolli është jeta ime, jetoj me të, me këtë punë.

E kujtoni golin më të bukur që keni shënuar deri tani?

Për mua të gjithë golat janë të bukur, të gjithë janë golat e jetës sime (qesh). Golat e bukur flasin vetë, mua më pëlqejnë ato gola që i bëj me “vjedhje”, siç e quajmë. Pastaj normal ka edhe gola, si ai që kam bërë të dielën, prej gati 40 metrave, por nuk kisha asnjeri, ndërsa mua më pëlqejnë ato golat “e vjedhur”.

Ju keni luajtur edhe me Laçin në Superiore, disa vite më parë…

Po, kisha ardhur fillimisht si huazim për të provuar njëherë se si ishte futbolli në Shqipëri, por të jem i sinqertë nuk më ka pëlqyer edhe jam kthyer, kam ikur herët. Nuk kam luajtur pothuajse fare dhe pastaj i jam bashkangjitur ekipit të Monopolit në Itali.

Çfarë problemi keni hasur këtu?

Në Shqipëri nuk është si këtu. Atje nuk luan ai që e meriton, ndërsa këtej luan ai që është më i zoti. Këtu ka meritë.

Përveç stërvitjes, si e kaloni kohën e lirë?

Unë jam një person përgjithësisht i qetë. Jashtë futbollit bëj edhe gjëra të tjera. Nuk shoh shumë ndeshje futbolli, përveç atyre të rëndësishmeve që i shohin të gjithë, si Real-Siti. Por dal në qytet, me të dashurën time, një xhiro për qejf. Kam një jetë të qetë.

Po finalen Roma-Fejnord do ta shihni?

Po, patjetër, ajo është finale e një kompeticioni dhe normal që do ta shoh.

Ju kanë kërkuar shokë italianë ndonjë biletë, meqenëse jeni shqiptar?

Ka sa të duash që kërkojnë akoma biletë. Unë nuk kam për vete (qesh). Për Shqipërinë është diçka e bukur edhe në imazh një finale e tillë.

Dardan, do të qëndroni te Novara edhe në sezonin tjetër?

Kismet, të shohim. Do të ulem këto ditë të flas me klubin, me presidentin dhe do të vendosim.

Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen?

Unë jam një lojtar i Novarës dhe dua të qëndroj këtu, pasi ndihem mirë. Ju ndoshta nuk e dini, por këtu në qytetin e Novarës, atmosfera është shumë entuziaste, sikur luajmë në Serinë A. Me stadiumin, tifozërinë, këtu jam si me qenë Kristjano Ronaldo (qesh), nuk mund të eci në rrugë. Kështu që nuk e besoj se do të lëviz që këtu.

vuthaj_1-1-723x452

Mendoni ndonjëherë për ekipin kombëtar?

Me thënë të drejtën, ekipi kombëtar për një shqiptar, edhe pse kam vite këtej, jam krenar që jam shqiptar. Nëse do ta arrij ndonjëherë do të jetë gjëja më e madhe për mua. Besoj se për çdo futbollist kështu është.

Keni një mesazh për ata djem të vegjël shqiptarë që janë emigrantë dhe luajnë në Itali?

Mesazhi im është që t’i përkushtohen shumë futbollit nëse e kanë pasion, sepse me punë mund të ecësh përpara. Gjithashtu edhe me besim në vetvete. Dhe nuk mund të kërkosh menjëherë majat e larta, por ngjitjen avash-avash.

KRISTI SEJATLLARI – Arena e Lajmit


Loading…

EKSKLUZIVE/ 35 gola në 35 ndeshje, një bomber nga Laçi në Itali, Vuthaj: Ndihem si Ronaldo, në Superiore luanin ata që nuk e meritonin

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook