Dibala blen shtëpi në Milano, Interi e do për 10 arsye

Zgjati 7 vite dashuria e Paulo Dibalës me Juventusin, por meqë rrugët do të ndahen, argjentinasi nuk ka hezituar për të nisur flirtimet me Interin, që mund të jetë ndalesa e radhës e karrierës së tij.

Inter-Milan-Paulo-Dybala-Juventus-Alexis-Sanchez

Javën e fundit, siç raporton “calciomercato.com”, vetë lojtari ka bërë një tjetër hap në drejtim të zikaltërve, duke blerë shtëpi në Milano pranë selisë së Interit, një lëvizje që është parë si një sinjal për vendimin që pritet të marrë.

Ndërsa “La Joya” i hedh benzinë zjarrit të merkatos, Interi po planifikon lëvizjet e tij për muajt në vazhdim, ku pa dyshim që prioritet është gjetja e akordit me 28-vjeçarin, për të cilin, përveç transferimit me parametër zero, klubi milanez ka të paktën edhe 10 arsye të tjera, për ta pasur në qendër të manovrave.

GOLA ME PESHË – Shkundja e rrjetës ndaj kundërshtarëve të mëdhenj, në ndeshjet e bllokuara, kur niset nga stoli apo si titullar, kanë bërë që golat e Dibalës të peshojnë si të pak të tjerëve dhe pa ndëshkuar nuk ka ngelur as Interi në ndeshjen e fazës së parë.

ASISTET – 48 asiste në 292 ndeshje me fanellën e bardhezinjve, kanë qenë kontribut jo i vogël në gola. Me një mesatare rreth 7 asiste në sezon me Juven, e majta e tij inkurajon jo pak shokët e skuadrës.

GODITJE DËNIMI – Specialist i ekzekutimit të tyre, Paulo do të ishte një thesar për Inzagin në një skuadër ku Çalhanoglu ka si opsion vetëm Dimarkon, që pavarësisht saktësisë nuk është titullar.

TALENT – Asnjëherë nuk është vënë në diskutim talenti i 28-vjeçarit, që nuk mungon në çdo prekje topi. Vizioni dhe paparashikueshmëria janë ato që më shumti i janë nevojitur Interit të këtij sezoni dhe diamanti juventin e garanton këtë.

AKROBACI – Kontroll topi, kthesë në zonë dhe shmangie e kundërshtarit, Dibala i ka ofruar të gjitha në një aksion të vetëm në Juventus-Salernitana, ku ai tregoi se zotëron mirë çdo disiplinë.

PERSPEKTIVA – 28 vjeç dhe me hapësirë të madhe për t’u rritur, e ardhmja e Dibalës pritet e ndritur dhe me të Interi do të siguronte një sulmues në kulmin e tij për të paktën 5 vitet në vazhdim.

URIA – Ndalesat e shumta fizike vetëm ia kanë shtuar dëshirën për të treguar se është më i fortë dhe për të synuar maja të tjera.

POPULLARITETI – 46.5 milionë ndjekës në “Instagram” kanë bërë që përkrahësit e Dibalës të shkojnë përtej futbollit dhe lidhja me imazhin e tij do u sillte zikaltërve një vlerë të shtuar në marketing.

NDJENJA ME CHAMPIONS-in – Pika e dobët e Interit mund të mos jetë më e tillë me 28-vjeçarin, për të cilin mjafton të shkojmë deri te dopieta ndaj Zenitit, për të kuptuar se në Europë është në habitatin e tij.

DASHURIA PËR ITALINË – 10 vite në këtë vend kanë bërë që Paulo ta njohë me sy mbyllur futbollin italian, me të mirat dhe të këqijat, duke ditur t’i shfrytëzojë të gjitha këto në mënyrë perfekte.

Përgatiti: NISLI GJINI – Arena e Lajmit


Loading…

Dibala blen shtëpi në Milano, Interi e do për 10 arsye

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook