“Kot u bëra portier”, Alban Hoxha dhuron spektakël si pykë, Mehmeti “manjak” i pasimeve

Partizani vijon me ritëm maksimal stërvitjen në kompleksin privat të klubit në zonën e Tufinës. Seanca e djeshme stërvitore nisi në orën 17:30, siç ishte planifikuar, me lojtarët, të cilët si gjithmonë zbarkuan në fushë më shpejt sesa ishte urdhëruar. Seanca nis me ritëm të ulët, vrapim rreth fushës dhe pasime pa shumë lëvizje mes njëri-tjetrit, me trajnerin Mehmeti, që mundohet t’i udhëzojë për gjithçka deri në detaje.

Partizani

Pas pak minutash nxehmjeje frerët e stërvitjes i merr në dorë përgatitësi atletik, Korrado Sakone, i cili e rriti ritmin dhe ngarkesën e seancës, duke u dhënë lojtarëve ushtrime fizike dhe të shpejta. Pas “zborit” të përgatitësit atletik, Mehmeti nisi menjëherë taktikën e ndeshjes me Kastriotin, që do të luhet nesër në “Elbasan Arena” në orën 17:00, pa praninë e tifozëve, pra me dyer të mbyllura.

VËMENDJA TE PASIMET – Trajneri i të kuqve është “manjak” i saktësisë në pasime dhe gjatë gjithë seancës ka kërkuar sa më shumë shpejtësi dhe kujdes në lojë. Tekniku e ndau shpejt skuadrën në dy grupe, me titullarët dhe rezervat, dhe nuk e ndryshoi deri në fund të saj. Disa minuta më mira ekipi u përqendrua te mënyra e daljes në sulm, ku kërkohet sa më shumë shpejtësi veprimesh, por edhe te mënyra për të neutralizuar kundërsulmet, që janë një armë mjaft e fortë e Kastriotit, për shkak të karakteristikave të lojtarëve krutanë në sulm.

Mehmeti

Kishte momente kur lojtarë të caktuar nuk vepronin sipas udhëzimeve dhe Mehmeti kujdesej të ndalte lojën dhe t’i udhëzonte. Madje, në një moment me Rrapajn kishte edhe një moment kur iu drejtua mesfushorit me fjalët: “Çfarë po bën, nuk mund të veprosh si të duash”. Rrapaj uli kokën dhe vazhdoi, teksa pak momente më pas talenti vlonjat nisi të bëjë gjërat e duhura dhe trajneri e përgëzoi. Interesant ishte fakti se Fatjon Tafaj, ndihmësi i Mehmetit, u kujdes gjatë gjithë seancës të sinjalizonte lojtarët, që ishin në pozicion jashtë loje për të përmirësuar sa më shumë ekipin këtë aspekt.

HOXHA “BOMBER RACE” – Stërvitja e djeshme e portierëve nën drejtimin e trajnerit Ilir Bozhiqi, ishte mjaft argëtuese. Një tullumbace e madhe, apo top mjekësor, siç quhet në gjuhën e palestrës u ishte shtuar mjeteve të stërvitjes së portierëve. Trajneri Bozhiqi e përdorte tullumbacen për të devijuar drejtimin e topit dhe për t’ia bërë sa më të vështirë Laroshit, Hoxhës e Teqjes evitimin e golit.

Alban Hoxha

Në fund të stërvitjes Hoxha vendosi ta ketë portën e tij përballë, pra të luajë rolin e sulmuesit. Kemi parë t’i “qajë” penalltitë, por kjo nuk paskësh qenë e vetmja “superfuqi” e tij.

Gardiani i Partizanit tregoi aftësi të jashtëzakonshme në finalizim. Krosimet e Hadrojt dhe Albion Markut, 34-vjeçari i stampoi në rrjetë në mënyrat më të ndryshme, pa gabuar thuajse asnjë. Kishte gola me kokë pas trehapëshit, goditje me “100 km/orë”, por më të shumta ishin finalizimet me roveshatë dhe gjysmëroveshatë. Nëse sheh aftësitë finalizuese të Hoxhës, të bën çudi përse luan portier, ku gjithsesi ka shkëlqyer.

Në fakt edhe ai vetë ndjen “keqardhje” që nuk u bë sulmues, teksa sheh veten të shënojë të tillë gola. “Kot që u bëra portier”, tha me shaka ishportieri i Besës, që shijoi shumë këtë seancë stërvitore. Krejt ndryshe ishte kolegu i tij në portë, Aldo Teqja, i cili nuk ishte i saktë në finalizime dhe goditjet e tij “jashtë orbitës” shkaktuan të qeshura te lojtarët e tjerë. Ndërkohë, Skuka gjithashtu u duk në formë të frikshme dje. Finalizimet në mënyrë të jashtëzakonshme me “biçikletë” tregonin qartë se nuk është rastësi ai gol fantastik në derbin me Tiranën.

SKUADRA – Dje ishin të pranishëm të gjithë lojtarët, përfshirë edhe Albion Markun, i cili ka vuajtur ngarkesën e madhe fizike të ndeshjeve të ngjeshura në muajt e fundit. Gjithsesi, mbrojtësi i djathtë duket se e ka kaluar problemin, sepse dje u stërvit me ritëm maksimal, madje qëndroi më shumë se të tjerët në stërvitje. Me kthimin e tij, Partizani nuk ka asnjë mungesë për ndeshjen e nesërme ndaj Kastriotit.

DENIS LALA – Arena e Lajmit


Loading…

“Kot u bëra portier”, Alban Hoxha dhuron spektakël si pykë, Mehmeti “manjak” i pasimeve

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook