90 minuta për titullin dhe 90 ditë për Asllanin, Milan-Inter s’ka fund/ Shqiptari, “mollë sherri” mes kryesuesve të Serisë A

Ajo e së dielës do të jetë beteja e fundit e një lufte pa mbarim mes Milanit dhe Interit. Edhe pse në distancë milanezët do të luajnë mes tyre titullin e Serisë A, që edhe pse është në dorën e kuqezinjve të cilëve u mjafton një pikë ndaj Sasuolos për t’u shpallur kampionë, nuk ua ndërpret shpresat zikaltërve të cilët duhet të fitojnë patjetër ndaj Sampdorias.

milan inter

90 minutat vendimtare nuk do t’i japin fund rivalitetit, përkundrazi, pritet të nisin një tjetër derbi përtej atij të përjetshmit, derbin e merkatos së verës. Nuk kanë qenë të pakta herët që Interi dhe Milani kanë dashur të njëjtin lojtar dhe këtë herë “molla e sherrit” duket se do të jetë Kristjan Asllani.

Kryesueset e kampionatit e kanë objektiv primar mesfushorin e Empolit, që nëse nuk e merr vendimin shpejt për të ardhmen, do t’i hapë rrugë një përplasjeje që pritet të zgjasë që nga fillimi i qershorit e deri në ditën e fundit të merkatos.

MILANI – Maldini po e shqyrton prej kohësh profilin e 20-vjeçarit që në 22 paraqitjet e tij me Empolin në Serinë A, ka regjistruar 1 gol ndaj Interit dhe 1 asist.

Por më shumë se për kontributin në gola, Milani kërkon të gjejë te mesfushori regjisorin që t’u japë jetë manovrave, me pozicionin e tij natyral para mbrojtjes, një vend që me largimin e Kesit, mund t’i sigurojë hapësira Kristjanit. Po ashtu, fantazia dhe teknika e kanë pozicionuar si numër 10 në skemat e Andreacolit jo pak herë, cilësi më se të mirëpritura në Milanon kuqezi, me Piolin që do ta vlerësonte një lojtar që mund ta përdorte në më shumë se një rol.

INTER – Jo më pak të rëndësishme janë edhe arsyet që e kanë vendosur Interin në ndjekje të elbasanasit. Personalitet dhe pjekuri, përveç vizionit dhe të gjitha karakteristikave të sipërpërmendura, kanë bërë që zikaltrit ta projektojnë Asllanin si pasardhësin e Brozoviçit.

Mungesa e alternativës në regjinë e lojës së Inzagit, kur kroati ka munguar apo nuk e ka përballuar dot ngarkesën ka rezultuar shpesh pika e dobët e zikaltërve, që 15 milionë eurot për Asllanin do i paguanin me kënaqësi për një alternativë cilësore të Brozoviçit.

Asllani molle Sherri

ASLLANI- Kristjani ka shkëlqyer në pjesën e dytë të edicionit duke veshur fanellën e titullarit, pasi në klub ishin të bindur se do të shkëlqente, duke pasur parasysh atë që kishte treguar me ekipin e të rinjve.

Asllani Empoli

Por edhe vetë lojtari shqiptar e ka pranuar sot në një aktivitet të organizuar për të nderuar personazhet e rinj të sezonit, se nuk e kishte pritur këtë ndryshim kaq të madh. “Jam shumë i lumtur që marr këtë çmim pas 13 viteve që luaj me këtë fanellë. Vitin e kaluar isha te të rinjtë, nuk e mendoja që do të bëja këtë hov kaq shpejt, por mundohem gjithmonë të jap maksimumin dhe t’i kënaq të gjithë, tifozët dhe trajnerin”, tha Asllani.

Përgatiti: NISLI GJINI – Arena e Lajmit


Loading…

90 minuta për titullin dhe 90 ditë për Asllanin, Milan-Inter s’ka fund/ Shqiptari, “mollë sherri” mes kryesuesve të Serisë A

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook