Teuta dhe Vllaznia do të zbresin sot në parket për finalen e tretë në Superligën e basketbollit për meshkuj, takim që do të luhet në orën 19:00 në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës.
Siç dihet, seria e finaleve deri më tani është në barazim 1-1, teksa në sfidat e zhvilluara ka pasur një rol të rëndësishëm faktori fushë, pasi të dyja ekipet janë mbështetur fuqimisht nga tifozët në takimet që kanë luajtur në shtëpi.
Kështu, në ndeshjen e një jave më parë në Durrës, Teuta fitoi bindshëm me rezultatin 86-68.
Ndërsa të mërkurën Vllaznia u kundërpërgjigj në Shkodër, teksa e dominoi finalen e dytë, duke triumfuar me rezultatin 90-71.
Tashmë është radha e betejës së tretë, me ekipet që do të luftojnë për t’u afruar më shumë me trofeun më të rëndësishëm kombëtar në sportin e koshit.
Teuta, kampione në fuqi, kërkon titullin e katërt në histori, ndërsa Vllaznia ka në shënjestër titullin e dhjetë kampion dhe vënien e yllit në fanellë, duke rikthyer në shtëpi një trofe që mungon që prej vitit 2016.
Arena e Lajmit
Loading…