Alesio Mija beson te rikthimi i shpejtë i bluve në Superiore: Fanella e Dinamos ka peshë, të gjithë jemi fajtorë për rënien!

Alesio Mija zuri vend në formacionin e Dinamos që në ndeshjen e parë që kjo skuadër u drejtua nga trajneri Vanoli. Pasi hoqi emocionet në ndeshjet e para, ai u shndërrua në një pikë kyçe të mbrojtjes blu, duke e rritur ndjeshëm nivelin e lojës. Është një element i fituar, pa dyshim. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai flet për aspektin personal, rënien nga kategoria dhe të ardhmen.

ALESIO MIJA

U bënë shumë ndeshje që luani titullar, sa i kënaqur jeni nga vetja?

Pa dyshim që jam shumë i kënaqur që po luaj titullar te Dinamoja. Kam punuar fort dhe kam pritur gjatë për këtë mundësi. Nuk ka qenë aspak e thjeshtë, kështu që për mua në aspektin personal është një kënaqësi më vete.

Dinamo ishte në vështirësi për mbrojtës gjithë sezonin, por duhej të vinte Vanoli që ju të luanit. Pse nuk patën besim stafet më parë?

Çdo trajner ka filozofinë e tij të lojës. Me stafin që ka qenë, gjithmonë kam pasur marrëdhënie shumë të mira, por janë thjesht vendime të tyre, të cilat kanë qenë gjithmonë për më të mirën e skuadrës. Ndaj nuk më vjen aspak keq. Unë kam qenë gjithmonë në gatishmëri për të dhënë maksimumin për Dinamon. Kam pritur momentin tim, që ma dha trajneri Vanoli.

Pse mendoni se Dinamo nuk ia doli të qëndronte në Superiore?

Kemi zhvilluar ndeshje mjaft të mira, si nga ana taktike, ashtu edhe nga ana e impenjimit në fushë. Ndoshta po të kishim qenë pak më shumë të kujdesshëm në raste të caktuara dhe të kishim pasur më shumë fat për të shënuar, nuk do të ndodhte kjo që ndodhi. Analizat e tjera nuk më takojnë mua.

SEFERI MIJA

Sa përgjegjësi kanë lojtarët te kjo disfatë?

Nuk mund të veçosh një përgjegjës ose një “fajtor”. Fakti që ekipi erdhi në këtë situatë mendoj se përgjegjësia është e të gjithëve ne, pa dyshim.

Të ardhmen e shikoni te Dinamoja?

Unë jam lojtar i Dinamos dhe për momentin vetëm këtë gjë mendoj. Për këtë klub ku u rrita si lojtar, dua të jap maksimumin çdo minutë që do të më jepet në fushë.

Jeni gati të sakrifikoni për të luajtur në Kategorinë e Parë?

Për Dinamon do të jem gjithmonë gati. Do të jap maksimumin që Dinamo të vijë aty ku i takon përsëri. Dinamo është fanellë me peshë të madhe dhe do të jap gjithmonë më të mirën për këtë skuadër.

Një mesazh për tifozët?

Ndiej keqardhje, sepse mezi e pritën rikthimin në Superiore, por nuk shkoi ashtu siç ne e kishim menduar. Gjithsesi, jam shumë optimist për sezonin e ardhshëm. Dua t’i falënderoj që kanë qenë të pranishëm në tribuna dhe shpresoj të vazhdojnë të na mbështesin akoma dhe më shumë.

FATJON RUPI – Arena e Lajmit


Loading…

Alesio Mija beson te rikthimi i shpejtë i bluve në Superiore: Fanella e Dinamos ka peshë, të gjithë jemi fajtorë për rënien!

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook