Deputetët e Partisë Socialiste duket se kanë një marrëdhënie shumë të mirë me njëri-tjetrin. Shpesh i kemi sjellë teksa ikin e vijnë bashkë në seancën parlamentare. Ka pasur nga ata që edhe nuk i kanë kursyer puthjet dhe përqafimet para objektivit të aparatit fotografik. Por na lejoni të themi se “rekordin” këtë herë e thyejnë Erion Braçe dhe Mimi Kodheli.
Dy politikanët nuk janë puthur, as përqafuar, por kanë ardhur në seancë me dorën në qafë. Në vështirësi duket Braçe, teksa i ka hedhur dorën në krah mikes së tij. Kjo për faktin se ish-zëvendëskryeministri është disa centimetra më i shkurtër sesa kolegia e tij. Megjithatë, përgjatë gjithë rrugës deri në shkallët e Parlamentit, ai nuk ia ka hequr dorën Kodhelit nga qafa.
Një ecje kjo pak e çuditshme, duke e vendosur në kontekstin e vendit ku po bëhet, megjithatë flet shumë për raportin që këta dy kolegë kanë me njëri-tjetrin. Erion Braçe riradhitet tek ata politikanë që e tregon hapur pëlqimin që ka për kolegët, ashtu siç tregon shpesh edhe pakënaqësitë që ka për të tjerë.
Deputeti ka qenë i pranishëm në “Më lër të flas”, ku ka komentuar mbi marrëdhënien e tij me Kryeministrin Edi Rama. Braçe tha se i ka marrëdhëniet shumë të mira me Kryeministrin, ku një muaj flasin e dy muaj nuk flasin. Mbi këtë marrëdhënie, ai tha se kanë arritur të zgjidhin shumë punë, prandaj është një mënyrë se si ata kanë zgjedhur të komunikojnë.