Tirana me shumë mundësi pritet të luajë me më të mirët në sfidën me Kukësin. Duket se bardheblutë nuk duan që të humbasin në sfidën e fundit, por nga ana tjetër do të luajnë për Taulant Seferin që të shpallet golashënuesi më i mirë i Shqipërisë.
Në fakt, Josa para pak ditësh i kërkoi Tiranës në njëfarë mënyre që të luante ndershëm me Kukësin, që Vllaznia të shkojë në Europë. Dhe Tirana me shumë mundësi do ta bëjë. Shehi pritet të hedhë në fushë, Bekajn, më pas Tolin, Behiratçen, Najdovskin, Përgjonin, në mesfushë, Totre, Hoti dhe Limaj. Në sulm si zakonisht treshja De Silva, Xhixha dhe Seferi.
Një skuadër e fortë që të përballet me Kukësin. Tirana ka mbyllur çështjen e titullit, por tani bardheblutë duhet të luajnë për Taulant Seferin. Sulmuesi është në luftë për “Këpucën e Artë”, ndërsa Tirana dhe shokët do të bëjnë të pamundurën që ta çojnë te goli sulmuesin. Futbollisti ka 18 gola dhe është në luftë me Guindonë për të dalë golashënues i Superiores. Mësohet se skuadra dhe sulmuesi do të bëjnë të pamundurën që ta fitojnë edhe këtë garë. Në lojë janë edhe 90 minuta dhe Seferi kërkon që të shënojë sa më shumë gola për të dalë i pari në vendin tonë për sa u përket golave. 500 mijë euro është vlera e kartonit të Taulant Seferit.
Sfida mes Tiranës dhe Kukësit që është edhe e fundit në kampionat, nis në orën 17:00. Në orën 19:00 zhvillohet ceremonia e trofeut që do të jepet nga presidenti i FSHF-së. Trofeu do të jepet një herë në fushë, por edhe një herë tjetër përgjatë koncertit me të gjithë skuadrën në skenë. Gjatë ceremonisë të gjithë tifozët do të kenë mundësinë të takojnë ekipin dhe të bëjnë fotografi. Si zakonisht, të gjithë lojtarët do të parakalojnë para gjithë stadiumit, që pritet të jetë i mbushur plot.
BILETAT
Ndeshja do të jetë me bileta, ndërsa koncerti do të jetë falas. KF Tirana ka vendosur që të bllokojë vetëm tribunën A dhe B ku do të ulen familjarët e skuadrës dhe të ftuarit e tjerë, ndërsa më pas dyert do të hapen për shfaqen e madhe.
OLSI AVDIAJ-Arena e Lajmit
Loading…