Tirana është shndërruar në kryeqytetin e Europës në 48 orët e fundit, duke qenë se nga Italia raportojnë për 142 fluturime të nisura nga i gjithë gadishulli Apenin drejt Shqipërisë, prej të cilëve 18 çartera.
Gjithsesi, nuk ka përfunduar vetëm kaq, pasi për ditën e sotme, atë në të cilën do të luhet edhe finalja e Ligës së Konferencës, janë në program edhe 176 avionë të tjerë, prej të cilëve 36 çartera, ndonëse fatkeqësisht i gjithë ky entuziazëm të paktën nga ana e italianëve nuk mund të shpërblehet i gjithi nga “Air Albania”, i cili nga 22.500 vendet e tij do të ofrojë vetëm 19 mijë për tifozët, ndërsa pjesa tjetër do t’i përkasë UEFA-s dhe Federatës Shqiptare të Futbollit për të ftuarit e saj VIP. Por pavarësisht vendeve të limituara, italianët si fqinj që janë, kanë vendosur që të zbarkojnë në tokën tonë, edhe pa pasur një biletë, duke u ngushëlluar me atmosferën që do të ofrojnë grupimet ultras, por edhe jeta në metropolin shqiptar.
Dhe pasi kanë zbarkuar në 48 orët e para, shumë prej italianëve kanë gjetur veten e tyre në Tiranë, ndonëse disa çudira nuk i kanë kuptuar ende, duke nisur nga stadiumi me kullën gjigante ngjitur. “Ky është një stadium që nuk duket një stadium. Është hera e parë që shohim diçka të tillë, por na kanë thënë që është një hotel… Po presim me padurim që të notojmë mes mbështetësve tanë të Romës, ndonëse prisnim një numër më të madh që të kishte ardhur. Gjithsesi, e vërteta është se duke parë çmimet shumë të larta me të cilat jemi hasur për akomodimin në shtëpi, na kanë lajmëruar se shumica e romanistëve do të zbarkojnë ditën e ndeshjes dhe pikërisht aty do të shpalosim të gjithë euforinë tonë.
Ajo që në ka bërë përshtypje është gjallëria e jetës në Tiranë, ku në çdo rrugicë pranë qendrës së qytetit mund të shijosh muzikë, shoqëruar me ushqim, pije dhe ambiente fantastike. Në të njëjtën kohë dashamirësia ndaj neve italianëve të lë shumë mbresa. Në 48 orë nuk kemi takuar asnjë që nuk njihte dhe dinte të kuptohet, të komunikonte në gjuhën tonë. Kjo ishte fantastike, por disa na kanë theksuar se ishte edhe një shenjë, simpatie e dashamirësie ndaj ne italianëve, që në fillim të viteve ‘90 pritën shumë shqiptarë në tokën tonë. Realisht është një kënaqësi të kalosh disa ditë në Tiranë”, nënvizonte reportazhi i bërë për tifozë italianë në kryeqytetin tonë.
JETON STAMOLLA-Arena e Lajmit
Loading…