Partizani mbyll sezonin 2021-2022 me transfertën e sotme ndaj Laçit në orën 17:00, e vlefshme për javën e 36-të dhe të fundit të Kategorisë Superiore. Të kuqtë, ashtu si edhe Laçi, e luajnë për statistikë këtë sfidë, pasi të dyja skuadrat i kanë siguruar kualifikimet në Kupat e Europës. Trajneri i të kuqve, Dritan Mehmeti, në një prononcim për “Panorama Sport” para kësaj sfide shprehet se kjo është një sfidë komode. Ai flet edhe për të ardhmen e tij, për të cilën tregon se do të zbardhet pas sfidës me Laçin. Për ndeshjen me kurbinasit do të mungojë Eneo Bitri.
Profesor, si është gjendja fizike e skuadrës dhe a do të jetë i gatshëm Bitri nesër?
Bitri ka qenë me temperaturë. Ka qenë 4-5 ditë në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe kjo është arsyeja përse nuk ishte ndaj Kastriotit dhe nuk do të jetë as ndaj Laçit sot. Pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme.
Kjo ndaj Laçit, është ndeshja më komode e juaja nën drejtimin e Partizanit?
Po, mund ta themi këtë duke pasur parasysh që të dyja skuadrat e kanë arritur objektivin e tyre dhe luajnë pa asnjë kompleks ndaj njëratjetrës. Mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur nesër, sepse futbolli të shtyn gjithmonë të fitosh, me apo pa objektiv brenda.
Ju duhet një pikë për të mbajtur vendin e tretë, e keni si objektiv apo mjafton fakti që jeni në Europë?
Objektivi i Partizanit, në çdo situatë që të jetë, do të tentojë në çdo rast të marrë tri pikët, sepse fanella e kësaj skuadre është e rëndë dhe duhet nderuar në çdo rast.
Kemi një vendim për të ardhmen tuaj, apo takimi i deklaruar me presidentin Demi është programuar pas Laçit?
Ende nuk është bërë ai takim me presidentin, pas ndeshjes me shumë mundësi do të ulemi të flasim dhe të marrim një vendim për të ardhmen e skuadrës, por edhe të klubit.
Keni një koment për organizimin e finales së Ligës së Konferencës në stadiumin “Air Albania”?
Unë nuk i vë më shumë rëndësi asaj çka ndodhi në fushën e lojës, sesa faktit që ky eveniment i madh po organizohet në Shqipëri. Jemi në një moment kur e gjithë Europa kthen shikimin nga Shqipëria dhe kjo është diçka e madhe për ne. Të them të drejtën nuk isha tifoz i ndonjërës prej këtyre skuadrave.
DENIS LALA – Arena e Lajmit
Loading…