Anësori ofensiv dhe mesfushori janë prioritetet për Milanin në merkaton e verës, por po aq rëndësi do të ketë afrimi i një sulmuesi që të garantojë të paktën 20 gola sezonalë.
Sipas “Il Corriere dello Sport”, ardhja në fuqi e fondit “Investcorp” do të mundësojë një goditje të madhe. Emri më i ri që po komentohet në zyrat kuqezi është ai i Viktor Osimhenit.
23-vjeçari, pavarësisht problemeve, po vërteton se mund të bëjë shumë mirë në Serinë A. 12 gola në 23 ndeshje në Serinë A dhe 5 në Ligën e Europës tregojnë qartë potencialin e nigerianit që vlerësohet 110 milionë euro nga Napoli.
Për të interesohen edhe Arsenali me Njukasëllin, por është e qartë se Milani do të merrte vëmendjen e bomberit, i cili do ta mirëpriste transferimin.
PISTA URUGUAIANE – Nëse mediat italiane përmendin Osimhenin, “Fichajes.net” zbulon se Milani është gati të përmbushë kërkesën e Benfikës duke ofruar 50 milionë euro për Darvin Nunjezin.
Në rastin e uruguaianit konkurrenca do të përbëhej nga klube si Reali, Siti dhe Barça, të cilat sidoqoftë e kanë si alternativë, pasi dihet interesi që kanë për Mbapenë, Halandin apo Levandovskin.
Bomberi 22-vjeçar ka shënuar 25 herë në 26 prezenca në kampionatin portugez, teksa edhe në Ligën e Kampioneve e ka thënë fjalën e tij duke shënuar 6 gola në 10 ndeshje.
TALENTET – Xhevahiri i Parmës, Adrian Bernabe, nis të tërheqë konkretisht vëmendjen e klubeve më të mëdha.
Për interesimin e madh të italianëve vijnë zëra nga Spanja, në veçanti nga “Mundo Deportivo”, sipas të cilëve mesfushori katalanas do të kishte përfunduar në radarin e Milanit. Mësohet se klubi kuqezi tashmë ka bërë një propozim të parë me vlerë 10 milionë euro.
Pritet një luftë e madhe në verë, ku Atalanta dhe Juventusi janë gati të hyjnë për të tentuar të rrëmbejnë mesfushorin nga Parma. Sfidë merkatoje mes Milanit dhe Liverpulit për mesfushorin Luka Suçiç. I konsideruar si Modriçi i ri, prej disa kohësh ka pasur interesim të kuqezinjve.
Ai është ylli më i ri i Lajpcigut dhe vlerësohet rreth 20 milionë euro. Mesfushor me tipare organizuese, ai shihet si një alternativë e Benaserit.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI
![](https://www.panorama.com.al/sport/wp-content/static/klikoperkepanoramaonline.jpg)