Mblidhet asambleja e përgjithshme e aksionerëve të “KF Lushnja 1930 sh.a”.
Në praninë e 21 pjesëmarrësve, dje u miratua projektplani financiar për vitin 2022. Këshilli Bashkiak ka aprovuar buxhetin prej 57,504,132 lekësh (të rinj) për futbollin, që në fakt ka nisur të shpenzohet që në janar dhe do të jetë i vlefshëm deri në dhjetor.
Të ardhurat nga bashkia janë 40,000,000 lekë (të rinj), ndërsa nga sekondaret shtohet një fond 17,504,132 lekë (të rinj). Duhet thënë që kjo është shifra më e lartë që nga 6 shtatori 2013, kohë kur klubi menaxhohej totalisht nga institucioni vendor.
Gjatë mbledhjes është diskutuar gjerë e gjatë edhe për shqetësime të tjera, mes tyre privatizimi.
Zyrtarisht nuk ka të interesuar për të blerë aksione në klub dhe as procesi nuk ka nisur, ndonëse janë hedhur hapa konkretë.
Gazeta “Panorama Sport” sjell të plota diskutimet në asamble.
Ato janë përqendruar mes anëtarit Ervin Sina dhe vetë kryebashkiakes Eriselda Sefa. Në cilësinë e presidentes ajo ka sqaruar çdo paqartësi.
JA DISKUTIMET
Ervin Sina (anëtar i asamblesë):
“Ne e kemi mbyllur një sezon të plotë, po duhet të dimë nëse kanë nisur procedurat apo ka interes paraprak në lidhje me privatizimin e KF Lushnjës”.
Eriselda Sefa (presidente e Lushnjës):
“Procedurat nuk kanë filluar akoma dhe deri tani nuk kemi pasur ndonjë biznes të interesuar. Unë kam kontaktuar me një ekspert, të cilit i kam kërkuar që të njihet me detyrimet ligjore që ne kemi, duke qenë se faza e parë është që një ekspert duhet të jetë për të bërë vlerësimet. Kur ta fillojmë këtë proces, patjetër që do të merret miratimi nga ana juaj. Pastaj do të vazhdojmë me fazat e tjera të procesit”.
Ervin Sina (anëtar i asamblesë):
“Si po ecën procesi i rikonstruksionit të fushave sepse kemi pasur edhe një afat?!”
Eriselda Sefa (presidente e Lushnjës):
“Sipas kontratës, afati është 31 dhjetori. Për stadiumin duhet të fillonte faza e dytë, ndaj edhe nuk ka filluar”.
Ervin Sina (anëtar i asamblesë):
“Fondi që po i kalohet KF Lushnjës sh.a. po përdoret për rrethimin e fushave që janë në rikonstruksion?”
Eriselda Sefa (presidente e Lushnjës):
“Fondi që do të miratohet këtu është për blerjen e materialeve. Pra, ne do të bëjmë blerjen e materialeve sepse vendosja e tyre do të bëhet nga punonjësit e ndërmarrjes së pasurisë publike. Për të tria fushat që janë në proces rikonstruksioni”.
Ervin Sina (anëtar i asamblesë):
“Meqë sezoni, stërvitja janë mbyllur; çfarë do të ndodhë me ekipin tani? Mos të jetë precedent ndërtimi i skuadrës, në minutën e fundit!”
Eriselda Sefa (presidente e Lushnjës):
“”Duam të ngremë një strategji. Do të thotë që nga ekipet e akademisë. Pra, ne duhet të investojmë, në ngritjen e talenteve në Lushnjë. Në mënyrë që nesër t’i kemi pjesë të ekipit tonë. Më pas do të vazhdojmë me strategjinë e ngritjes së një ekipi, që pse jo të ketë objektivat, që duan të gjithë qytetarët e Lushnjës. Dhe, vitin tjetër të jetë në Superiore. Por, jemi akoma duke hartuar një strategji të mirëfilltë, në mënyrë që të kemi rendiment edhe në akademi”.
– Arena e Lajmit
Loading…