Në një lidhje “Skype”, i ftuar këtë mbrëmje në “Open” në News24, juristi Kreshnik Spahiu tha se korrupsioni në vend është shumë specifik në krijimin e monopoleve, dhe sipas tij kjo është dhe arsyeja se përse Shqipëria është kaq e varfër.
Ai tha se e vetmja gjë e mirë që ka bërë kjo qeveri, është eliminimi i korrupsionit “të vogël”’.
“Shqiptarët kanë provuar tre lloj qeverish, atë komuniste, demokrate dhe po provojë këtë socialiste, pyetja është Shqipëria sot është më mirë, ku ishte, apo më keq.
Nëse do krahasojmë qeverisjen e demokratëve dhe socialistëve, ajo çfarë është specifike është se ne si shoqëri kemi një korrupsion shumë tradicional që nuk ndahet dot nepotizmi nga nderi, dhurata nga korrupsioni, ndërhyrja nga ajo çfarë takon me ligj. Këto vite jemi mësuar që ditën kur lind fëmija duhet të paguash, dhe deri sa vdes duhet të blesh tokën, kemi një sistem të ngritur ku ku ka shërbime duhet të paguash.
Nuk dua ta shoh shumë bardh e zi, por ajo çfarë mund të them është që e vetmja pjesë pozitive e kësaj qeverie është që ka reduktuar korrupsionin e rrugës, ryshfetin e vogël… në një farë mënyrë është eliminuar me digjitalizimin”, u shpreh ai por shtoi se vijon korrupsioni në nivele më të larta, teksa sipas tij krimi i organizuar dhe mafia janë të përfshira në korrupsion.
“Një nga arsyet që Shqipëria është shumë e varfër, sepse korrupsioni është shumë specifik në krijimin e monopoleve. Ne kemi shpikur tani këtë variantin e investitorëve strategjik që duhet të jesh i afërm i një ministri, këto janë përmasa shumë më shqetësuese të korrupsionit që ajo konferencë duhet të ndalej nëse e kishte seriozisht luftën kundër korrupsionit”, tha ai.