Edhe të mëdhenjtë qajnë… Në këtë rast nuk e kemi fjalën vetëm për një burrë 59-vjeçar, por njëkohësisht për një trajner të madh, një specialist të trofeve europianë si Zhoze Murinjo. Emri i tij nuk ka nevojë për shumë reklamë, pasi njihet në çdo cep të botës, përjashtuar ndoshta vetëm në disa vende ku jetojnë ende fise indigjene që nuk e dinë ende në 2022-shin se çfarë është elektrizimi, e jo më televizori.
Por ndoshta edhe nëse ata do ta kishin njohur, takuar vetëm një herë, pa dyshim që skena të cilën panë në Tiranë do t’i kishte bërë përshtypje. Trajneri “Special”, ai që i kërkoi pankinës së tij me ashpërsi që të mos festonte dhe të ulej në stol pas golit të avantazhit të Zaniolos në finalen me Fejnordin, me të ardhur vërshëllima e trefishtë hapi “rubinetet” si asnjëherë më parë ndoshta, duke shpërthyer në të qara me dënesë.
Lot gëzimi pa dyshim, lot çlirimi, duke qenë se siç e kishte nënvizuar ai vetë, kjo me Romën ishte finalja më e rëndësishme e karrierës së tij, si rrjedhojë e faktit se ishte edhe më e vështira për t’u fituar. Dhe merita e finales së Tiranës ishte ajo që përveçse do t’i dhuronte në fund trofeun e radhës europian, i ka lënë portugezit kujtime shumë të bukura që në vizitën e tij të parë.
Madje, fotoja e tij duke qarë me dënesë nuk vonoi që të shpërndahej me shpejtësi në rrjetet sociale, aq sa shumë media nisën të gërmonin dhe të provonin të gjenin ato pak çaste në të cilat “Special One” papritur tregon edhe anën e tij “Normale” si në Tiranë. Pas finales shqiptare, ku ai theksoi se Roma e tij kishte shkruar historinë, precedentët e tjerë janë fare të paktë:
– Interi fiton titullin në ndeshjen kundër Sienës, pas së cilës edhe vetë Zhoze Murinjo nuk e beson se sytë e tij nisën të përloteshin, prej lumturisë që solli një trofe që zikaltërve u mungonte prej një kohe të gjatë.
– Të papërmbajtshëm lotët në dy sezonet e tij tek Interi ishin pa dyshim në vitin 2010, kur në Madrid mposhti Bajernin dhe riktheu pas gjysmëshekulli trofeun e Ligës së Kampioneve në Milano, duke mundur në dukje me shumë lehtësi gjigantët e Bajernit të Mynihut.
Por ndoshta ata lot nuk ishin vetëm për trofeun, që ai e kishte fituar edhe me Porton 6 vite më parë… Ata lot specifikonin lamtumirën e tij, menjëherë pas daljes nga stadiumi “Santiago Bernabeu”, i cili do të shndërrohej në shtëpinë e tij të re. Po, Zhoze Murinjo linte Interin për të firmosur me Realin e Madridit, ku i paharrueshëm do të mbetet takimi i tij me mbrojtësin Marko Materaci.
– Shumë i papritur ishte edhe një shpërthim i tij në lidhje direkte, teksa intervistohej në gushtin e vitit 2019. Në atë periudhë Zhoze ishte i papunë, por kërkonte që të riniste aq shumë një tjetër aventurë të re, pasi të qenit larg futbollit e bënte shumë nostalgjik dhe të dobët karakterialisht. “Tani është një gjë serioze. Mendoja se mund ta përballoja, por pa futbollin nuk ka asgjë që më dëfren dhe nuk kam turp ta pranoj se jam i humbur pa punën time”, shprehej Murinjo për televizionin spanjoll “Chiringuito”.
– Ndërkohë, përlotja më absurde e një njeriu që duket gjithmonë shumë i egër, serioz dhe i sigurt në vetvete ishte lajmërimi për ngordhjen e qenit të tij, i cili ishte pjesë e familjes prej më shumë se një dekade. Gjithsesi, nga hera e fundit që Zhoze Murinjo kishte derdhur lot kishin kaluar shumë vite, por në fund ajo që mendoi ta emociononte dhe, pse jo, ta përkëdhelte, ishte Tirana, aty ku u zhvillua finalja e Ligës së Konferencës.
TROFETË E FITUAR NGA MURINJO
2 CHAMPIONS
PORTO 2003-2004
INTER 2009-2010 2
KUPA UEFA/ LIGA E EUROPËS
PORTO 2002-2003
MAN.JUNAJTID 2016-2017
1 LIGË KONFERENCE
ROMA 2021-2022 2
KAMPIONATE PORTUGEZE
PORTO 2002-2003
PORTO 2003-2004
1 KUPË TË PORTUGALISË
PORTO 2002-2003
1 SUPERKUPË TË PORTUGALISË
PORTO 2002-2003 3
PREMIER LIGA
ÇELSI 2004-2005
ÇELSI 2005-2006
ÇELSI 2014-2015
4 KUPA TË LIGËS
ÇELSI 2004-2005
ÇELSI 2006-2007
ÇELSI 2014-2015
MAN.JUNAITID 2016-2017
2 SUPERKUPA TË ANGLISË
ÇELSI 2005
MAN.JUNAJTID 2016
1 KUPË FA
ÇELSI 2006-2007
2 SERI A NË ITALI
INTER 2008-2009
INTER 2009-2010
1 SUPERKUPË TË ITALISË
INTER 2009-2010
1 KUPË TË ITALISË
INTER 2009-2010
1 LA LIGA NË SPANJË
REAL MADRID 2011-2012
1 KUPË TË MBRETIT
REAL MADRID 2010-2011
1 SUPERKUPË TË SPANJËS
REAL MADRID 2012
Përgatiti: JETON STAMOLLA – Arena e Lajmit
Loading…