Një shqiptare është plagosur me thikë nga ish-burri i saj. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën ‘La Spezia’ të Migliarinës në Itali.
“Ku janë fëmijët e mi, si janë?”. Kjo ishte shprehja e parë që tha e reja shqiptare sapo hapi sytë në spital, ndërsa lotët nuk i ndaleshin. E gjithë skena e tmerrit ndodhi në një autobus të linjës që të çonte në bregdet, ndërkohë që Sokol Begaj goditi me thikë nënën e fëmijëve të tij në fytyrë, plagë që duket se do i mbesin shenjë për tërë jetën.
Ndërkohë, pas krimit të rëndë autori 37-vjeçar është arrestuar, ndërsa ndodhet në paraburgim, nën akuzën për vrasje të mbetur në tentativë. “Ai është në gjendje të rëndë psikologjike. Nuk mund ta kuptojë se çfarë ndodhi”, thotë avokati i tij, Cristian Falconi. Vetëm një ditë më parë ish-çifti kishte arritur një marrëveshje jashtëgjyqësore për kujdestarinë e fëmijëve.
“Ata kishin ardhur së bashku në studio”, thanë avokatët e tyre dhe se dukej se mes tyre kishte mirëkuptim. “Kemi parë kaq shumë çifte që grinden për kujdestarinë e fëmijëve. Ata nuk e bëjnë. Dhe pastaj ata u larguan së bashku. Gjithçka dukej e qetë”, thonë avokatët.
Por çfarë ndodhi në ato pak orë mes të enjtes pasdite dhe të premtes në orën 14:00, kur tërbimi i Sokolit arriti sa të godiste ish-partneren e tij, duke e plagosur rëndë me shtatë plagë thike në trup?
Gjithçka nisi në shkurt, kur çifti përfundoi në gjykatë për çështjen e kujdestarisë së fëmijëve, ku qetësia mes palëve kishte marrë fund.
Shqiptarja kishte paditur më herët Begajn për keqtrajtim dhe dhunë në familje, kërkesë e cila ende nuk është diskutuar në gjykatë. Pas shumë përplasjesh, fëmijët i ishin besuar të ëmës.
Muajt e fundit Begaj është përpjekur të gjejë një kompromis me ish-gruan e tij. ‘Il Secolo xix’ shkruan se ditën kur ndodhi ngjarja autori ishte në banesën e prindërve të tij. Pasi kishte komunikuar dhe ishte zënë me ish-gruan në telefon dhe më pas përballë, Sokol Begaj tentoi të godiste me thikë buke ish-gruan. Kjo e fundit e terrorizuar ka parë një autobus të kalonte aty pranë dhe ka hipur, por është goditur nga pas. Mediat thonë se 37-vjeçari e ka goditur 7 herë me thikë shqiptaren në disa vende të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar asaj plagë të mëdha.
Ndërkohë, dy fëmijët e mitur janë përkohësisht në kujdestari të gjyshërve nga babai, ndërsa nëna shqiptare ka pohuar se do t’i marrë sapo të bëhet mirë.
Arena e Lajmit