Dritan Resuli dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë ende të konfirmuar. “Trajneri e ka vetë në dorë do qëndrojë apo jo…”. Ishte kjo fjali e Sinan Idrizit, që stoli të dridhej.
Edhe pse ishte vetë administratori që në javët e fundit në njëfarë mënyre e konfirmoi vlonjatin, gjërat ndryshuan sapo kampionati mbaroi. Ngjitja në Kategorinë e Parë, si dhe fitimi i dy trofeve të Grupit B dhe të Kategorisë së Dytë nuk kanë mjaftuar që kreu i klubit t’i besojë edhe një vit.
Kjo, edhe për faktin se Kategoria e Parë vështirësohet me Skënderbeun e Dinamon dhe ndoshta misioni “Superiore” mund të detyrojë administratorin që të marrë një “strateg” në stol, pa mohuar aspak cilësitë dhe meritat e Resulit. E megjithatë, shpresat nuk janë shuar.
Një takim që pritet të zhvillohet në fillimjavë, do të zbardhë shumëçka për fatet e stafit teknik.
“Panorama Sport” mëson se drejtuesit do të thërrasin të hënën ose të martën trajnerin, me të cilin do të diskutojnë për vijimin ose mbylljen e bashkëpunimit. Takimi ishte planifikuar që këtë javë, por është shtyrë për shkak të angazhimeve familjare të teknikut. Momentalisht ai gjendet jashtë vendit.
BRAZILIANËT – Erdhën në fillim të shkurtit, me idenë që të qëndronin gjatë. E megjithatë, nuk ndodhi kështu. Brazilianët Quitera Gomes Cabral Nicholas dhe Marques Perdosa Joao Pedro janë larguar nga Vlora.
Të dy sulmuesit u aktivizuan me të rinjtë, por nga fundi i kampionatit Dritan Resuli i grumbulloi edhe me të rriturit. Ata vinin pas eksperiencës që kishin te KF Elbasani, por nuk bindën. Ditët e fundit ata janë larguar nga qyteti dhe gjasat janë për të mos u kthyer më. Në skuadrën e parë është e vështirë që të gjejnë hapësira, kur dihen edhe pretendimet madhore.
– Arena e Lajmit
Loading…