“Ata kanë vrarë fëmijë, familjarë dhe civilë në Ukrainë”/ Pelosi në Poloni, shpreh mbështetjen amerikane përballë agresionit rus

Zeri

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ishte në Poloni të hënën ku përcolli mesazhin e mbështetjes së palëkundur të Shteteve të Bashkuara për aleatin e NATO-s që po strehon miliona ukrainas që kanë lënë vendin. Gjatë fundjavës zonja Pelosi vizitoi Kievin në krye të një delegacioni të Kongresit dhe premtoi më shumë mbështetje për Ukrainën si edhe vendosmëri përballë agresionit rus.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi u takua në Poloni, me presidentin polak Andrzej Duda dhe shprehu mbështetjen për aleatin e NATO-s.

“Ne duam të themi faleminderit. Faleminderit popullit të Polonisë. Faleminderit qeverisë së Polonisë për bujarinë dhe përkushtimin ndaj sigurisë dhe demokracisë. Ne dhe delegacioni ynë biseduam për ndihmën humanitare, ndihmën e sigurisë, si dhe ndihmën ekonomike për rajonin”, tha zonja Pelosi për Zërin e Amerikës.

Zonja Pelosi tha se Kongresi po shqyrton kërkesën e fundit të administratës Biden për fonde për Ukrainën. Ajo foli edhe për reagimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë.

“Mendoj se ata kanë bërë mjaftueshëm për të justifikuar përgjigjen më të fortë të mundshme ushtarake, sanksionet më të forta për të përçuar mesazhin se ajo që kanë bërë është e patolerueshme. Përsa i takon ndihmës humanitare, ne nuk duhet të stepemi nga kërcënimi i Rusisë. Ashtu siç kishin kërcënuar, ata kanë vrarë fëmijë dhe familje, civilë dhe të tjerë”, tha ajo.

Zonja Pelosi ishte në Kiev gjatë fundjavës dhe shprehu mbështetjen për Ukrainën në takimin me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Oksana Markarova, tha se vizita e zonjës Pelosi, tregonte lidhjet e forta mes aleatëve.

“Ishte një kënaqësi e veçantë të shihja zonjën kryetare dhe delegacionin e saj në Kiev, të takoheshin me presidentin tonë. Mendoj se është një tjetër shenjë e mbështetjes shumë, shumë të fortë që Ukraina ka këtu në Shtetet e Bashkuara. Ne ndiejmë se amerikanët janë vëllezërit dhe motrat tona në këtë luftë për liri ((dhe)) për demokraci.”

Pjesa më e madhe e ndihmave amerikane është përdorur për armatime për ukrainasit. Kritikët thonë se një ndihmë e tillë duhet të jepet menjëherë.

“Çdo ditë që ne nuk u dërgojmë më shumë armë është një ditë kur do të vriten më shumë njerëz dhe një ditë kur ata mund ta humbin këtë luftë. Unë mendoj se ata mund të fitojnë, por ne duhet t’u japim mjetet për ta bërë një gjë të tillë”, thotë anëtari republikan i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme, Michael McCaul.

Ndërkohë pamjet e shkatërrimit të infrastrukturës si ato në Irpin, Ukrainë, janë një kujtesë e vazhdueshme e agresionit rus. Në të gjithë vendin, të dielën pas Pashkëve Ortodokse, ukrainasit vizitojnë varrezat për të kujtuar të vdekurit e tyre. Mijëra persona kryesisht civilë, kanë vdekur deri tani në këtë luftë./VOA/

“Ata kanë vrarë fëmijë, familjarë dhe civilë në Ukrainë”/ Pelosi në Poloni, shpreh mbështetjen amerikane përballë agresionit rus

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook