Trajneri i kampi onëve të Italisë, Ste fano Pioli, ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën spanjolle “As”. Në bisedë e sipër, ai ka folur për titullin e sapofituar dhe për shumë nga lojtarët e tij më të talentuar. Ai dha gjithashtu një gjykim mbi rritjen e futbollit italian dhe një analizë për kohën aktuale.
Një javë më parë fituat titullin. Si është gjendja emocionale?
Ishte e mahnitshme. Është një nga gjërat më të bukura që mund të ndodhte. Të shohësh tifozët e lumtur ka qenë gjëja më shpërblyese në botë. Kemi besuar gjithmonë te titulli, por ka pasur dy ndeshje themelore. Derbi i fazës së dytë dhe fitorja ndaj Lacios. Fitorja e gjashtë ndeshjeve të fundit, pavarësisht kalendarit më të keq, ka treguar forcën tonë mendore. Medalja? Nuk ma kanë dhënë ende, por po ma ruajnë në “Casa Milan”.
Si është Ibra?
Më mirë. Mezi po priste të bënte operacionin sepse po vuante prej muajsh. Është personi më inteligjent e më simpatik që njoh në botën e futbollit, ndaj uroj që të qëndrojë. Fundja, ai prandaj u operua.
A mund të ekzistojë ky Milan pa Paolo Maldinin?
Për një rezultat si ky që sapo arritëm, pati shumë rëndësi që të gjithë dhanë më të mirën. Në një sezon mund të ketë larmi opinionesh, por ne e kemi përballuar çdo bisedë me dëshirën për t’u përmirësuar. Kështu do të jetë edhe këtë herë sepse kemi ende punë për të bërë.
Çfarë plani keni për merkaton dhe a do të qëndrojë Leao?
Me drejtuesit po flasim, por nuk përmend dot emra. Leao është një lojtar i madh dhe besoj se do të qëndrojë, por nuk e them unë dot fjalën e fundit sepse nuk jam as drejtues e as pronari i klubit.
Ky që sapo u mbyll ishte një sezon i ndërlikuar me arbitrat…
Disa situata janë pjesë e lojës, megjithatë ne u përqendruam në situata që mund t’i kontrollonim. Gjithmonë kemi shpresuar që të mos përfshihemi në situata, qofshin ato avantazhuese ose jo. Rëndësi ka që të mos mungojë respekti.
Seria A çdo vit e po bëhet më e vështirë…
Niveli po rritet falë skuadrave “të vogla”, të cilat po zhvillojnë një futboll më intensiv dhe sulmues. Duhet të kemi më pak pushime gjatë ndeshjeve dhe më pak kohë të humbur. Në Europë intensiteti është më i lartë dhe skuadrat italiane e paguajnë shtrenjtë kur luajnë në Kupat e Europës.
Pra, jeni pro të luajturit me kohë efektive?
Kjo ndodh në disa sporte. Nuk pranoj të më thonë se ka 8 minuta ndërprerje, sepse nëse nuk ndërhyn kur një skuadër humbet kohë, të humbet intensiteti i lojës. Do të ishte një rregull që do të sillte përfitime. sidomos në Itali.
Me Ançelotin keni folur?
Ka pasur të tjera mendime në kokë prej Champions-it, por urimet e tij m’i ka transmetuar Maldini. Karleto ka një ndjeshmëri dhe inteligjencë që janë përtej normës. Askush më mirë se ai nuk di të menaxhojë grupin.
Do t’ia merrni Asension?
Është një lojtar i madh, por i përket Realit. Jam shumë i lumtur me ekipin tim dhe nuk dua të flas për të tjerë futbollistë.
Ju treguat se triumfi arrihet edhe me të rinj. Cili është sekreti?
Ideja ishte e klubit, por mbështetja për punën tonë ka qenë e madhe. Drejtuesit e dinë që nëse punon me të rinjtë duhet kohë, por ne kemi ardhur në këtë rezultat sepse njerëz si Zlatani, Zhiru, Kjaeri dhe Florenci kanë qenë pikë referimi për më të rinjtë. Kishte një përzierje perfekte, empati mes të gjithëve dhe kjo na bëri të jepnim më shumë se 100 për qind.
Thuhet se fokusoheni shumë te të dhënat dhe në analiza.
Më duhet të përshtatem me kohën pasi çdo vit ka zhvillime. Kur nisa të punoj si trajner kisha vetëm një asistent, ndërsa tani kam një staf me 11 persona. Sivjet do të punojmë me dikë për tendencat e lojës. Çdo ndeshje ofron të dhëna të cilat duhen analizuar për të kuptuar se çfarë japin lojtarë të caktuar kur luajnë me shokë të caktuar. Sidoqoftë, zgjedhjet unë i bëj duke u bazuar në atë që shoh dhe mund të ndodhë që të preferoj një lojtar në vend të një tjetri që sipas asistentëve të mi ka pasur një qasje pozitive në lojë në vlerën 78 për qind.
Si sillet një trajner me lojtarët që dihet se do të largohen?
Unë shoh vetëm atë që bëjnë në fushë. Nuk kam parë tek asnjëri si Donaruma, Çalhanoglu dhe Kesi sjellje sipërfaqësore. Pashë një kujdes të jashtëzakonshëm, profesionalizëm dhe një dëshirë për të treguar se ata ishin shumë të mirë. Shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë për secilin përveç nëse takohemi në Champions, ku shpresoj t’i mposhtim (qesh).
Çfarë prisni nga Champions-i në edicionin e ri?
Ndeshjet e këtij viti na kanë mësuar shumë dhe për më tepër do të jemi në vazon e parë. Kemi rritur vlerën dhe përvojën tonë, do ta luajmë këtë kompeticion me idenë për të avancuar sa më shumë.
Mendoni se deri një javë më parë ju nënvlerësonin?
Në futboll është normale. Gjithmonë jam ndier i vlerësuar aty ku kam punuar, duke u përpjekur të lë gjithçka më mirë sesa e kam gjetur. Tani të lavdërohesh me titullin është pjesë e lojës. Por kështu është, ose je shumë i mirë ose je shumë i dobët… Etiketat nuk më interesojnë, çdo trajner ka idetë e veta. Ka shumë mënyra për të qenë trajner, por zgjidhja më e mirë është gjithmonë ajo që i bën lojtarët të ndihen rehat. Janë ata që bëjnë diferencën”.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – Arena e Lajmit
Loading…