Ndriçim Shtubina i dha lamtumirën futbollit në “Loro Boriçi”, e megjithatë zyrtarisht nuk e ka mbyllur. Luajti me Dinamon dhe i gatshëm do të jetë edhe me Korabin.
Kjo me dibranët do të jetë në fakt e fundit ndeshje për të dhe ai pret që ta përfundojë këtë kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij me festë. Sot në orën 17:00 rrogozhinasit do të presin dibranët, për të luajtur finalen e “play out”- it.
Shkodrani është i bindur që do ta kalojnë këtë pengesë të fundit, por nuk ngurron që të japë edhe këshilla.
Është një ndër lojtarët më me eksperiencë tek Egnatia, ndaj u kërkon shokëve që të tregohen të zgjuar e të administrojnë emocionet. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, shkodrani jep edhe një ftesë për tifozët.
“Pres që nesër (sot) të jenë prezentë një numër më i madh tifozësh se në çdo sfidë tonën.
E ndiej si një detyrim ndaj tyre që largimin zyrtar nga futbolli ta bëj nën duartrokitjet e tyre që për çdo futbollist janë si oksigjeni pa të cilin nuk mund të jetojë një futbollist.
I dua të shumtë edhe për të festuar pas ndeshjes, pasi u jemi borxhli tifozëve tanë. Flas kështu nga bindja dhe besimi që kam te shokët, edhe pse në futboll kurrë nuk i dihet.
Të gjitha elementet flasin në favorin tonë, që nga tifozët, fusha, përbërjet e dy ekipeve”.
I nisur nga përvoja që ka, Shtubina specifikon se në duele të tilla duhet zgjuarsi dhe administrim i emocioneve përtej çdo situate.
“Në përballje të tilla, gjykoj se vlen më shumë zgjuarsia e reagimit në momente pikante, ruajtja e emocioneve përtej çdo situate që mund të ndodhë në fushë. Citova këto dy elemente, pasi nuk dyshoj në epërsinë e vlerave që grup ynë ka.
Ndoshta me të drejtë, shumë thonë se nuk mund të flitet me 100% siguri para një sfide, por unë flas bazuar në bindjen që kam në lojën e ekipit.
Korabi do të jetë sfiduesi ynë, ndërsa ne thjesht do të qëndrojmë aty ku jemi, në elitë”, përfundoi shkodrani.
– Arena e Lajmit
Loading…