Edi Rama ‘e merr seriozisht’ jetën e tretë si artist, publikon veprën që shqipëroi nga Kandinsky

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka nisur përgatitjet për ‘jetën e tij të tretë’. Dhe me këtë ai ka lënë të kuptohet se do të merret më shumë me art ku përveç pasionit që ka për pikturën do të merret dhe me skulptura, stilime veshjesh apo botime librash.

Gjatë karrierës së tij politike ai nuk e ka lënë asnjëherë menjëanë pasionin që ka për artin. Madje shpesh herë kryeministri në daljet e tij përpiqet të jetë sa më detajist duke u karakterizuar me një look të veçantë dhe ngjyra që bien në sy.

“Hyra në politikë pas ndërrimit të sistemit të regjimit. Kjo ishte një jetë e paparashikuar nga unë. Politika është diçka që më ka rënë në kokë. Kjo nuk është një jetë të cilën dua ta ndjek deri në pafundësi. Sepse politikanët e sotëm duhet të kuptojnë që koha e detyrës së tyre është e limituar, dhe njëkohësisht edhe koha e të qenit si drejtues e shkurtër. Kisha një jetë si artist, tani kam një jetë të dytë si politikan, shpresoj në jetën e tretë të jem i lirë”.- është shprehur ai.

Duket se që tani kryeministri ka nisur përgatitjet për jetën e tij të tretë pasi së fundmi ka hapur një profil zyrtar në Instagram të quajtur @ediramart, ku vihet re se në feed-in e tij janë postuar foto të ndryshme të cilat paraqesin artin e tij.

Pas postimeve të veprave të tij të artit, së fundmi Edi Rama ka treguar për ndjekësit e tij botimin e dytë  të shqipëruar nga vetë ai të veprës “Mbi shpirtëroren në art dhe veçanërisht në pikturë” nga Wassily Kandinsky.

Në paraqitjen e kopertinës së librit krahas saj ka shkruar:

“Ka pak ditë që shtëpia botuese “Princ” ka nxjerrë në qarkullim botimin e dytë të rishikuar të veprës “Mbi shpirtëroren në art dhe veçanërisht në pikturë” nga Wassily Kandinsky, shqipëruar nga Edi Rama.

Paraprijës në lëvizjen për të çliruar artin nga lidhjet e tij tradicionale me realitetin material, ky libër është një nga dokumentet më të rëndësishme në historinë e artit modern. Përmes tij, Kandinski shpjegon teorinë e vetë për pikturën dhe kristalizon idetë që patën ndikim të jashtëzakonshëm te shumë artistë të tjerë të periudhës e po ashtu edhe në zhvillimin e artit modern.

Botimi i parë i tij, nga shtëpia botuese “Përpjekja”, më 1998, erdhi në letrat shqipe me redaktim dhe parathënie nga Dr. Ardian Klosi dhe me një “Cadri Forever” (një mballomë kujtimesh në vend të pasthënies) nga Edi Rama.

Në këtë botim të dytë, editimi i veprës u mbështet mbi botimin e parë në shqip dhe mbi botimin origjinal të veprës së Kandiskit “Über das Geistige in der Kunst: Insbesondere in der Malerei”, duke ruajtur e përcjellë si përmbajtjen e veprës, ashtu edhe stilistikën e shkrimit shqip. Për krahasimin me origjinalin dhe redaktimin sipas tij punoi Marsela Likaj, nën kujdesin editorial të botueses Irena Buzi. Gjithashtu, ndërthurja e tekstit me grafikat, tabelat dhe pikturat i mbetet besnike formës së paraqitur te botimi origjinal i v.1912.

Libri gjendet te libraritë: Adrion, Shtëpia e librit, Tiranabook, Art’s, Onufri. Së shpejti edhe në librari të tjera.”

Irena BUZI, botuese e Shtëpisë “PRINC”

Po ashtu, Edi Rama ka botuar edhe dy libra arti me krijimet e tij në bashkëpunim me artistin e njohur Anri Sala, si dhe është autor e pjesëmarrës i shumë ekspozitave nëpër botë.

Edi Rama ‘e merr seriozisht’ jetën e tretë si artist, publikon veprën që shqipëroi nga Kandinsky

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook